Lidhje

Freedom House: Shqipëria nuk ka shënuar përparim, gjendja në Kosovë është përmirësuar


Liria në botë pësoi një rënie globale për të katërtin vit me radhë në vitin 2009, sipas raportit të fundit të organizatës Freedom House.. Raporti vjetor, “Liria në Botë” që u bë publik sot, përmend Amerikën Latine, Afrikën, ish-Bashkimin Sovjetik dhe Lindjen e Mesme si rajonet ku liria ka pësuar më shumë rënie. Ballkani është një nga rajonet me rezultate pozitive për vendet e tij dhe Kosova është mes tyre. Por Shqipëria ka mbetur në të njëjtin pozicion me një vit më parë me gjithë anëtarësimin në NATO. Zëri i Amerikës intervistoi Drejtorin e Studimeve të Freedom House, Kristofer Uoker:


Zëri i Amerikës: Zoti Uoker, raporti i këtij viti për gjendjen e lirisë në botë është pesimist. A mund të bëni disa komente në përgjithësi për rezultatet kryesore të këtij raporti.

Kristofer Uoker: Ky vit ishte i katërti me radhë, me rënie globale. Kishim gjithsej 40 raste të keqësimit të situatës, ndërsa vetëm 16 patën rritje, kështuqë për katër vjet në shkallë globale është shënuar rënie. Në shumë nivele, kjo është arsye për shqetësim në rritje, pasi do të thotë më pak liri në përgjithësi dhe rënie në aspekte të lidhura me të, si për shembull më pak përgjegjësi dhe transparence në pjesë të konsiderueshme të botës.

Zëri i Amerikës: Megjithëse gjendja për Ballkanin është përmirësuar në krahasim me pjesë të tjera të botës, gjendja në Shqipëri përsa i përket situatës politike ka mbetur e pandryshuar dhe përsëri në raportin e sivjetshëm flitet për korrupsion shumë të përhapur dhe për inefiçencë në institucionet e rendit dhe të drejtësisë. Cili do të ishte komenti juaj?

Kristofer Uoker: Është e vërtetë që Ballkani ishte një nga rajonet me rezultate pozitive këtë vit. Një numër vendesh shënuan përparim, përfshirë Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe Kosova ishte një nga vendet që ndryshoi kategori, duke kaluar nga grupi i vendeve jo të lira tek ato me liri të pjesshme. Duke pasur parasysh rënien globale, përmirësimet në Ballkan janë të dukshme dhe kjo është në ndryshim nga prirja e përgjithshme. Përsa i përket Shqipërisë, është e vërtetë që ka mbetur në të njëjtin pozicion, sipas vlerësimeve tona, është vend pjesërisht i lirë, çka do të thotë se ka shënuar përparime të konsiderueshme vitet e fundit, por në të njëjtën kohë ka një element ngecjeje. Pra ka ende hapësirë për përmirësim. Në raport ne kemi përmendur disa nga presionet që qeveria ka ushtruar tek media, gjë që është shqetësuese dhe sigurisht që kjo sjell implikime për mbulimin dhe transparencën që është e nevojshme për të luftuar korrupsionin që është një tjetër problem që ne kemi përmendur në raport.

Zëri i Amerikës: Le të vazhdojmë pak të flasim lidhur me akuzat për korrupsion. Një nga rastet e përmendura në raport është ai i ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ishte nën hetime për rastin e Gërdecit. Ndërkohë sot ai është përsëri Ministër në qeveri... A mund të na thoni më konkretisht se çfarë do të thotë kjo situatë për gjendjen e institucioneve në Shqipëri?

Kristofer Uoker: Mendoj se ju identifikuat një pikë shumë kritike, pra që çdo çështje paraqet sfidat dhe shqetësimet e veta, veçanërisht ato të niveleve më të larta të politikës në çdo vend. Prova është tek përgjigjia e institucioneve dhe ajo që kemi parë në disa vende në disa pjesë të Evropës Juglindore dhe Lindore, janë sfidat e vazhdueshme për pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, ç’ka do të thotë se ekzekutivi ka ende ndikim të mjaftueshëm, ose në disa raste të tepruar për të parandaluar veprime transparente dhe efektive për prokurorinë kur është e nevojshme. Prandaj mendoj se rasti që ju përmendni kërkon një vigjilencë të madhe për të garantuar që drejtësia të kryhet hapur, me transparencë, në mënyrë që të sjellë rezultatet e duhura dhe të hapura gjyqësore.

Zëri i Amerikës: Një situatë e tillë tregon se ka pasur përparime politike, po ta shohësh nga jashtë, për shembull tani Shqipëria është anëtare e NATO-s, por nga ana tjetër ka disa probleme që janë të brendshme të institucioneve dhe gjendjes së demokracisë në vend. Çfarë do të sugjeronit ju si zgjidhje për një gjendje të tillë?

Kristofer Uoker: Mendoj se është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë. Mendoj se në të gjitha shoqëritë, si kur bëhet fjalë për demokraci më të konsoliduara, që kanë vështirësitë e veta për përmirësimin e institucioneve të tyre, po ashtu edhe për vende në tranzicion, aty ku ka më pak burime në dispozicion për të bërë të mundur reforma më energjike. Një nga sfidat kryesore është nëse mund të ndërmerren reforma më të thella dhe më të pjekura institucionale dhe nuk ka një zgjidhje të shpejtë, nuk ka ndonjë metodë magjike. Është thelbësore të kesh një pjesëmarrje më të qenësishme publike, është kritike që shoqëria civile të angazhohet në këto diskutime për të nxitur reformat, që qeveria të jetë e ndershme dhe e përgjegjshme. Parimet që ne kemi vlerësuar në raportet tona janë kritike dhe ne do të sugjeronim përmirësime në media, rritje të kapacitetit të shoqërisë civile. Nëse ka përmirësime në këto fusha, është e arsyeshme të presësh përmirësime, qoftë edhe graduale, por do të ndodhin. Është një nga sfidat më të vështira për t’u kapërcyer në fushën e drejtësisë, për shumë vende që ne analizojmë, në mënyrë që transparenca të kthehet në normë dhe të mos jetë përjashtim.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet kryesore në politikën e Shqipërisë sot është se opozita mbetet jashtë parlamentit, që kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet vitin e kaluar. A keni ndonjë sugjerim ose koment për zbutjen e situatës politike dhe për tejkalimin e këtyre problemeve që kanë efekt negativ në forcimin dhe zhvillimin e institucioneve në vend?

Kristofer Uoker: Kjo gjithashtu është një dukuri që po ndodh në shumë vende ku opozita ose nuk gjen një rol të kënaqshëm, ose rrugën efektive për të luajtur rolin e vet në politikën e vendit. Nuk mendoj se kjo është diçka e pazakontë por mendoj se përgjigjia mund të gjendet në mënyra më inovative për të angazhuar publikun në diskutime publike dhe në hartimin e mënyrave më efektive për të komunikuar alternativat politike si pjesë e platformave politike të partive. Kjo gjithashtu është një nga sfidat kryesore me të cilat përballen vendet në tranzicion, për normalizimin dhe shtimin e efektivitetit të politikës dhe dialogut politik.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet që ju përmendët në fillim është situata e medias dhe në fakt gjendja e gazetarëve në Shqipëri është shpesh shqetësuese. Ata frikësohen, nuk kanë sigurinë e punës dhe një nga incidentet më të rënda të vitit të kaluar ishte ai kur drejtori i gazetës Tema Mero Baze u rrah para një restoranti nga një manjat i naftës në Shqipëri. Çfarë mendoni se duhet bërë që media të marrë rolin e saj në Shqipëri për të çuar përpara demokracinë?

Kristofer Uoker: Rasti që ju përmendni, ose edhe të tjerë të ngjashëm ku qeveria mban një qëndrim armiqësor ndaj medias, apo ku nuk lejon një diskutim të hapur dhe të sinqertë të çështjeve, është shumë shqetësues dhe është nga ato raste që në e kemi parë në Shqipëri prej disa vjetësh. Objektivi është pakësimi i këtyre rasteve abuzimi dhe frikësimi, pasi media është absolutisht thelbësore për avancimin e reformave të tjera, jo vetëm për të luftuar korrupsionin por nëse një media e hapur dhe e pavarur nuk mund të flasë për çështje serioze politike që shqetësojnë vendin, si reforma sociale, ekonomike, çështje të sigurisë, do të ketë rezultate negative përsa u takon këtyre politikave. Do të ketë më pak informacion në diskutimin publik, më pak shanse për diskutime të qenësishme të këtyre çështjeve që janë gjithmonë të vështira në çdo rrethanë, por nëse medias i vihen kufizime për të luajtur rolin e vet për këto çështje, është diçka shumë negative për shoqërinë shqiptare. Kjo është diçka që ne e ndjekim nga afër jo vetëm në raportin tonë për gjendjen politike në përgjithësi, por do ta trajtojmë edhe më në hollësi këtë çështje kur të nxjerrim raportin për lirinë e shtypit në fund të prillit.

Zëri i Amerikës: Flasim pak për Kosovën për të cilën ka lajme të mira këtë vit. Vjet Kosova ishte radhitur mes vendeve jo të lira, ndërsa sivjet ajo është pjesërisht e lirë. Cilat janë komentet tuaja për këtë radhitje të vendit të ri?

Kristofer Uoker: Kosova ishte një nga vendet në raportin tonë që kaloi nga një kategori tek tjetra, në këtë rast pozitiv. Ky ishte rezultat i zgjedhjeve që u mbajtën në tetor, të parat në Kosovën e pavarur, të cilat sipas vëshguesve ndërkombëtarë ishin organizuar mjaft mirë. Ne po ashtu vërejtëm përmirësim në trajtimin e pakicave. Këta faktorë kontribuan në zhvendosjen e Kosovës nga kategoria e vendeve jo të lira në ato pjesërisht të lira dhe mendoj se është një vlerësim për përmirësimet që janë bërë gradualisht vitet e fundit. Kosova kishte përparuar brenda kategorisë së vendeve jo të lira dhe këtë vit, e kapërceu cakun. Ne shpresojmë që përparimi të vazhdojë në të ardhmen. //ad//

XS
SM
MD
LG