Lidhje

Shtëpia e Bardhë thekson rendësinë e krijimit të vendeve të punës


Një këshilltare ekonomike e Shtepisë së Bardhë thotë se ekonomia amerikane po bën përparim të qendrueshëm megjithë humbjen e vendeve të punës. Zonja Kristina Romer tha për dy programe televizive amerikane CNN dhe ABC se humbja e rreth 85 mijë vendeve të punës muajin e kaluar ishte pengesë. Por ajo tha se është ende realistike që ekonomia do të sjellë efekte pozitive në pranverë. Ajo tha se administrata e zotit Obama ka në plan të vazhdojë stimujt ekonomikë që po paraqesin fryte dhe do të shtojë masa të mëtejshme për të nxitur punësimin, siç është ulja e taksave për biznese që hapin vende të reja pune. Por kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan Michael Stil i tha kanalit televiziv Fox News se presidenti nuk ka me se të mburret pas thuajse një viti në post dhe ka nevojë për plane konkrete për punësimin dhe përmirësimin e ekonomisë. Departamenti i Punës tha të premten se ekonomia amerikane humbi rreth 85 mijë vende pune muajin e fundit, ndërkohë përqindja e papunësisë mbetet e pandryshuar në 10 përqind.

Më pak se një vit pasi presidenti Obama miratoi paketën më të madhe ekonomike stimuluese në historinë e Amerikës, shefja ekonomike e Shtepisë së Bardhë thotë se nevojiten masa të mëtejshme.

"Përshtypja se ne duhet të bëjmë më shumë është dërrmuese.”

Zonja Kristina Romer foli në kanalin televiziv ABC. Ajo tha se elemente kyçe të paketës stimuluse të vitit të kaluar prej 787 bilion dollarësh si benefitet e papunësisë dhe ndihma për qeveritë e shteteve duhet të vazhdojnë. Por Romer gjithashtu bëri thirrje për masa të reja si ulja e taksave për bizneset që hapin vende të reja pune dhe rabate për ata që i bëjnë shtepitë e tyre më efikase përsa i përket energjisë.

Të premten, Departamenti i Punës njoftoi humbjen e rreth 85 mijë vende pune në Amerikë muajin e fundit. Shifrat ishin zhgënjyese për ekonomisët që kishin shpresuar se muaji dhjetor do të shënonte kthimin e timonit ndryshe nga dy vite më parë.

“Ishte një kthim mbrapa.”

Ajo shtoi se përqindja e papunësisë e pandryshueshme dhe humbja e vendeve të punës janë një përmirësim po të krahasohet me një vit më parë, kur qindra mijëra vende pune humbeshin çdo muaj dhe përqindja e papunësisë po rritej.

“Në tremujorin e parë të 2009 kur erdhi në pushtet administrata e presidentit Obama, po humbeshin thuajse 691 mijë vende pune në muaj. Tani humbja e vendeve të punës është më e vogël.”

Por republikanët thonë se ka ardhur koha që presidenti Obama të plotësojë premtimet e tij për të përmirësuar kushtet ekonomike të Amerikës sesa të ngadalësojë normat e renies. Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan Michael Steel foli për kanalin televiziv Fox News.

“Për çfarë duhet të festojmë tani që mbushet një vjetori i administratës së presidentit Obama? Ne nuk kemi punësim, një sistem të reformuar të sistemit shëndetësor, kemi borxhe prej 13 trilion dollarësh dhe nuk kemi një drejtim se si do të të krijojmë vende të reja pune.”

Muajin që kaloi, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët miratoi një projektrezolutë stimuluese për të rinxitur hapjen e vendeve të punës. Senati pritet ta marrë në konsideratë masën javët e ardhshme. Ekonomistë të rendësishëm në administratën e presidentit Obama e mbështesin iniciativën por shtojnë se duhet që sektori privat amerikan të bëhet udhërrëfyes në krijimin e vendeve të punës dhe zgjerimin ekonomik.

Sipas ekonomistëve amerikanë, papunësia do të fillojë të ulet gradualisht në muajt që vijnë ndërkohë që përmirësohet ekonomia nga recesioni më i rendë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por disa ekonomistë të njohur thonë se papunësia mund të vazhdojë të shtohet dhe se Shtetet e Bashkuara mund të zhytet në recesion nga fundi i vitit që vjen./ap

XS
SM
MD
LG