Lidhje

Një senator demokrat deklaron se nuk do të rikandidojë duke rrezikuar shumicën në senat


Pas një shërbimi gati 30 vjeçar, senatori demokrat Kristoper Dod nga shteti i Konektikatit,tha se nuk do të rikandidatojë në zgjedhjet e këtij viti.

Duke folur në shtetin e tij Konektikatit, senatori Dod tha se e mori këtë vendim para 2 javësh, madje pranoi se ishte, siç u shpreh ai, një prej vendimeve më të vështira në karierën e tij politike.

Ai citoi vdekjen e së motrës si dhe të mikut të tij të ngushtë, senatorit Ted Kenedi, si dhe betejën e tij personale me kancerin në prostatë, të gjitha vitin që kaloi, si arsye që çuan në vendimin e tij për të mos rikandiduar.

Senatori Dod, i cili shërbeu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve në vitet 70-të dhe në fillim të viteve 80-të, ka luajtur një rol kyç në përgjigjen e Shteteve të Bashkuara për krizën financiare, por anketat e fundit tregojnë se popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm.

Mbrëmë edhe senatori tjetër demokrat Bajron Dorgan i Dakotës së Veriut, tha se nuk do të kandidojë për një mandat të ri.

Vendimet e dy senatorëve mund të kenë ndikim të rëndësishëm tek balanca e pushtetit në Washington. Aktualisht në senatin amerikan ka 58 demokratë dhe dy të pavarur, të cilët zakonisht votojnë me demokratët, duke u dhënë atyre shumicën, prej 60 vendesh në organin ligjvënës.//kk//

XS
SM
MD
LG