Lidhje

Përparësitë ushtarake të SHBA në vitin 2009


Viti 2009 do të mbahet në mend si viti kur përparësitë ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndryshuan nga Iraku në Afganistan. 2010 do të jetë vit i “shtimit të trupave në Afganistan” si rezultat i përpjekjeve të presidentit Barak Obama për të arritur përparim domëthënës në një afat kohor të shkurtër në Afganistan, ngjashëm me atë që ish presidenti Xhorxh Bush bëri në Irak në vitin 2007 dhe 2008.

Rishqyrtimi i politikave për Afganistanin ishte një vendim i vështirë për presidentin. Ky proces zgjati tre muaj. Ai e bëri publik këtë vendim për herë të parë në muajin dhjetor.

“Procesi i rishqyrtimit të politikave për Afganistanin tashmë ka përfunduar. Si Komandant i Përgjithshëm unë kam vendosur se është jetësore për interestin tonë kombëtar të dërgojmë në Afganistan 30 mijë trupa amerikane shtesë.”

Presidenti tha se synimi i tij ishte t’u hiqte forcave taleban iniciativën dhe pas 18 muajsh të fillonte tërheqjen e trupave amerikane.

Vendimi i presidentit vuri në lëvizje një përpjekje masive, për të dërguar trupat dhe pajisjet në Afganistan, ndërkohë që ushtria amerikane po përgatitet për tërheqjen e më shumë se 60 mijë trupave nga Iraku.

Në dhjetor, gjatë vizitës së tij në Afganistan, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts tha se shtimi i trupave amerikane dhe së paku 7 mijë trupave nga vendet e tjera, paraqet një ‘përkushtim të palëkundur’ për të ndihmuar Afganistanin në një periudhë kohore afatgjatë.

“Shtetet e Bashkuara, miqtë dhe aleatët e tyre në të gjithë botën janë të përkushtuar për të mposhtur ata të cilët qëndrojnë mes jush dhe një të ardhme paqësore dhe të begatshme. Së bashku ne do të arrijmë të kemi sukses dhe partneriteti ynë do të lulëzoj për dekada me rradhë.”

Por, mposhtja e kryengritësve do të jetë shumë e vështirë. Kim Kagan themeluese dhe drejtore e Institutit për Studime të Luftrave thotë se në muajt e ardhshëm, Shtetet e Bashkuara dhe forcat ndërkombëtare dhe afgane duhet të sigurojnë qytetet afgane, të luftojnë kryengritësit më radikal dhe të bindin ushtarët e thjeshtë talebanë t’i bashkohen qeverisë.

“Fushata kundër kryengritësve në Irak ka ecur shumë mirë dhe ajo duhet të përsëritet edhe në Afganistan. Kjo fushatë i mundëson popullatës që të përkrahë qeverinë ose të paktën të kundërshtojë kryengritësit”.

Në të njejtën kohë ajo thotë se forcat amerikane duhet të ndihmojnë ngritjen e forcave afgane dhe përmes përpjekjeve të bashkrënduara ndërkombëtare duhet të luftohet korrupsioni dhe të krijohen kapacitete për qeverinë afgane. Ajo beson se kjo mënyrë e të vepruarit do të ndryshonte tërsisht situatën në Afganistan.

Por jo të gjithë ekspertët ndajnë të njejtin mendim. Ish Koloneli i Ushtrisë amerikane Andreu Baceviç tani profesor i Historisë dhe Mardhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit thotë se krijimi i sigurisë dhe i një qeverie të përgjegjëshme në Afganistan mund të mos jetë e mundshme dhe se kjo nuk është e nevojshme për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ai dyshon që presidenti Obama do të arrijë rezultatet e parashikuara në Afganistan përmes strategjisë së tij të re në tri vitet e ardhshme.

Ish komandanti i forcave ndërkombëtare në jug të Afganistanit, Gjenerali holandez Mart de Kruif nuk bie dakord me pohimet e mësipërme.

“Ajo që ne bëmë në jug të Afganistanit dëshmon se koncepti i kësaj strategjie qëndron. Në se dërgohen më shumë trupa, ashtu si vepruam në korrik dhe gusht, atëherë do të arrihet rezultati i parashikuar”.

Gjenerali po i referohet përparimit të arritur në pjesët jugore të Afganistanit ku presidenti Obama dërgoi më shumë trupa në fillim të këtij viti.

Se kush prej tyre ka të drejtë, kjo do të mësohet në vitin 2010. Presidenti ka planifikuar një rishqyrtim të strategjisë në dhjetorin e ardhshëm dhe komandantët ushtarakë duhet të provojnë se mund të bëhet tërheqja e trupave amerikane në përputhje me afatin përfundimtar, atë të korrikut të vitit 2011. Kim Kagan, përkrahësja e fushatës së shtimit të sulmeve, bie dakord se rezultati nuk është i garantuar.

“Ne duhet ta kemi të qartë se lufta është një biznes i rrezikshëm dhe se nuk egziston një garanci se një numër i caktuar i trupave do të sjell një rezultat të suksesshëm”.

Por ekspertët nënvizojnë se edhe në se strategjia e presidentit arrin të ketë sukses në vitin 2010, për të stabilizuar plotësisht Afganistanin nevojitet një ndihmë ushtarake nga bashkësia ndërkombëtare me vite më radhë dhe më pas investime dhe ndihma për civilët. (ze)

XS
SM
MD
LG