Lidhje

Aeroplanët luftarakë izraelitë bombardojnë Gazën


Një vit pas Luftës së Gazës, bombat vazhdojnë të bien. Aeroplanët luftarakë izraelitë hodhën raketa në disa fusha të hapura në Rripin e Gazës të premten në mbrëmje, duke shkaktuar një valë shpërthimesh të zhurmshme.

Aeroplanët luftarakë izraelitë bombarduan dy tunele përgjatë Rripit të Gazës. Ushtria tha se militantët palestinezë planifikonin t’i përdornin tunelet për të infiltruar në Izrael dhe për të kryer një sulm.

Sulmi ajror ndodhi ndërkohë që Izraeli dhe grupi militant islamik Hamas, i cili sundon Gazën, po negocionin marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve. Sipas marrëveshjes që po bëhej, Izraeli do të lironte një mijë të burgosur palestinezë në këmbim të ushtarit izraelit të marrë peng, Gilad Shalit. Ai u kap para më shumë se tre vjetësh, kur militantë të armatosur të Hamasit hynë përmes një tuneli nën kufirin e Gazës duke infiltruar një bazë ushtarake izraelite.

Izraeli heziton të lirojë militantë të rëndësishëm përgjegjës për sulme vdekjeprurëse, dhe Hamasi ka kërcënuar se do ta shtojë trysninë ndaj shtetit hebraik duke marrë pengje të tjera.

Zyrtari i Hamasit, Osama Hamdan tha se nëse Izraeli nuk i përmbush të gjitha kërkesat e grupit, Hamasi do të duhet të marrë peng një ushtar tjetër izraelit për ta përfunduar marrëveshjen.

Analisti izraelit Dan Shyften thotë se vullneti i Izraelit për të bërë një këmbim të tillë po nxit Hamasin të kryej rrëmbime të tjera.

“Mendoj se nëse shohim çfarë mund të sjellë kjo, ne do të shohim se kjo është fitorja më e madhe dhe më domethënëse për terrorizmin që Izraeli po bën të mundur që nga krijimi i tij.”

Izraeli shkatërroi qindra tunele kontrabande të palestinezëve gjatë Luftës së Gazës para një viti, por një raport nga shërbimet e sigurisë Shin Bet thotë se një pjesë e mirë e infrastrukturës së tunelit është rindërtuar. Raporti thotë se Hamasi po kontrabandon armë dhe material për ndërtimin e raketave nga Egjipti, në përgatitje për raundin tjetër të konfliktit.

XS
SM
MD
LG