Parku Kombëtar Mammoth Cave, Shpella e Mamuthit, është një sistem zgavrash nëntokësore dhe një pjesë e luginës Green River, Lumi i Gjelbër dhe zonës kodrinore në zonën jug-qendrore të Këntakit. Ky është sistemi më i gjatë i shpellave nëntokësore që njihet sot në botë, me një gjatësi të eksploruar prej rreth 450 kilometrash. Një prej ciceronëve të parë, Stivën Bishop, e quajti atë “një vend të madh, të errët dhe të veçantë”, por dhomat e mëdha dhe labirintet komplekse i dhanë asaj me të drejtë emrin Shpella e Mamuthit.
Të imagjinojmë për një moment si të ngrirë Kataraktin e Niagarës dhe të vendosur në një shpellë thellë nën sipërfaqen e tokës. Ky është quajtur në fakt Niagara e ngrirë dhe është një prej formacioneve fantastike përgjatë tuneleve, rruginave dhe koridoreve gjarpërues të sistemit më të madh të shpellave në gjithë botën.
Kjo është Shpella e Mamuthit, një galeri e nëndheshme e frikshme e megjithatë magjepsëse skulpturash të krijuara nga natyra nën pyjet e Këntakit.
Të paktën, tri lumenj kalojnë përmes Shpellës së Mamuthit. Ata janë shpesh të qetë, të lundrueshëm, por hera herës u pëngjajnë vorbullave të trazuara, duke u ngritur dhe ulut rreth dy metra brenda një ore. Këta lumenj ushqejnë liqenet e kthjellët që janë të padukshme deri sa preket sipërfaqja e tyre.
Është pikërisht uji me të cilin natyra ka gërmuar, ndërtuar dhe zbukuruar këtë katedrale të nëndheshme, duke filluar rreth 350 milionë vjet më parë dhe që vazhdon të jetë në ndërtim. Në sipërfaqe, lumi i gjelbër kalon përmes pllajës së Këntakit, nga e cila pjesa më e madhe e reshjeve të shiut nuk rrjedh përmes rëkeve dhe përrenjve, por kullon nëntokë.
Uji merr me vete dioksidin e karbonit nga vegjetacioni i sipërfaqes duke u shndëruar në solucion acidi karbonik që depërton përmes të çarave të tokës në formacionet gëlqerore nën sipërfaqe.
Zakonisht ai lëviz horizontalisht drejt lumit të gjelbër, duke tretur gurët përgjatë rrugës dhe gërmuar gropëza dhe kanale. Ndërsa lumi i gjelbër thellon gjithnjë e më shumë shtratin e tij, niveli i ujit bie dhe ky proces përsëritet në nivel më të ulët, duke lënë të thatë sistemin e shpellave mbi të.
Kur një shpellë pranë sipërfaqes shembet, ajo lë një gropë në formë tasi. Në zonë ka kaq shumë të tilla, saqë gjeologët i referohen asaj si fusha jugore e gropave të kullimit.
Madje, banorët vendas e njohin atë si toka e 10 mijë gropave. Në disa sisteme jashtë Parkut Kombëtar të Shellës së Mamuthit, këto gropa shërbejnë si hyrje për në shpellat e gdhendura nga uji.
Shpella e Mamuthit nuk është sistemi i vetëm në gjithë parkun, por është më i famshmi. Sëbashku me Flint Ridge Caves, Shpellat e Flint Ridge-t, është sistemi më i gjatë në gjithë botën. Në fakt, askush nuk e di me saktësi se sa e madhe është Shpella e Mamuthit. Deri më sot janë matur rreth 450 kilometra tunele dhe dhoma.
Të dhënat shkencore sugjerojnë se mund të ketë shumë kilometra të tjera pamjesh mahnitëse natyrore që janë ende në errësirë, të paeksploruara dhe të papara. Është një përvojë e veçantë të ecësh nëpër këtë shteg thellë nën sipërfaqen e tokës.