Ndërsa konferenca e Konpenhagës për klimën përfundon të premten, negociatorët nuk kanë arritur të bien dakord për nivelet e uljes së çlirimit të gazit karbonik dhe as për ndihmën financiare ndaj vendeve të varfëra për të përballuar ndryshimet e klimës. Shkencëtarët thonë se ngritja e temperaturave dy gradë mbi nivelet paraindustriale do të ketë pasoja katastrofike. Në serinë e përjavëshme "Prirjet e Gjelbra", kolegia Isabela Çoçoli na sjell hollësi për mjetet e ndryshme që janë sot në funksionim për të monitoruar nivelet e gazit karbonik në atmosferë dhe për të vrojtuar ndikimet e veprimtarisë njerëzore në mjedisin natyror të Tokës.
Ekstremet e motit janë faktorë determinues në planetin tonë dhe me ngritjen e temperaturave këto anomali bëhen më frekuente dhe të vështira për t'u parashikuar. Tani kompjuteri më i madh i botës, "Simuluesi i Tokës", është programuar të japë të dhëna më të sakta për parashikimin e kushteve atmosferike.
I vendosur në Yokahama të Japonisë, kompjuteri anglo-japonez ka një madhësi
sa katër fusha tenisi. Nëpërmjet
simulimeve, ky kompjuter gjigand, i ndihmon shkencëtarët të studjojnë efektet e
mundëshme të ndryshimeve klimatike për një periudhë afatgjatë. Ai ka luajtur një rol të madh për të
transmetuar mesazhin se raca njerëzore ka nevojë për mbrojtje.
Aftësia e "Simuluesit të Tokës" për parashikime më të hollësishme se më parë të motit, e bën atë një objekt me shumë rëndësi të teknologjisë për të ndihmuar në përcaktimin e prirjeve të klimës.
****
Shkencëtarët parashikojnë se po nuk u morrën masa për të penguar rritjen e temperaturave, ekonomia botërore do të ndodhet përballë një kostoje tejet të lartë dëmesh prej 20 trilion dollarësh.
Tashmë që kanë kaluar pothuajse dhjetë vjet nga Protokolli i Kjotos, vendet si Australia dhe Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë nënshkruar për kuota të zbatueshme për çlirimin e dioksidit të karbonit.
Kushtet e rënda atmosferike janë bërë gjithnjë e më të pranishme nëpër botë, si rezultat i ngritjes së nivelit të gazit karbonik në atmosferë, që sjell ngrohjen globale. Sipas një studimi të grupit të mjedisit "Friends of the Earth", "Miqtë e Tokës", ngritja e temperaturave dy gradë mbi nivelet paraindustriale do të ketë pasoja katastrofike.
Megjithëse shumë vende kanë marrë masa të forta në mbrojtje të mjedisit, shkencëtarët dhe organizatat e mjedisit thonë se duhen bërë përpjekje në shkallë botërore për t'i mbajtur temperaturat në nivele të kontrollueshme.
****
Anija Santa Luçia që zakonisht transporton banane nga Karaibet në Britaninë e Madhe, përmes Oqeanit Atlantik, mban edhe një ngarkesë të një lloji tjetër. Ajo është e pajisur me mjete për të monitoruar nivelin e gazit serë në hapësirën oqeanike.
Kjo është pjesë e
një projekti mbarë evropian për të shfrytëzuar anijet tregtare në ndihmë të
shkencës së mjedisit. Ekipet amerikane
dhe japoneze po mbledhin të dhëna të ngjashme në hapësirën oqeanike të
Paqësorit.
Në
përpjekje për të monitoruar ndryshimet klimatike, pajisja është e instaluar në
bordin e anijes dhe është programuar të punojë pa mbikqyrje për muaj me radhë, duke ndihmuar kështu që
njerëzit të kuptojnë gjithnjë e më mirë se si stili ynë modern i jetesës prek
mjedisin natyror të botës. //iç//