Lidhje

Hoteli më i madh në Los Anxhelos, përqafon praktikat e gjelbërta


Shumë hotele në Shtetet e Bashkuara po ndjekin praktika në mbrojtje të mjedisit, duke ricikluar mbeturinat e duke kursyer ujin, elektricitetin dhe burime të tjera. Hoteli më i madh në Los Angeles, Westin Bonaventure, u certifikua kohët e fundit nga grupi ambjentalist, Green Seal si hotel i gjelbër, siç ka hyrë tani në fjalor mbrojtja e mjedisit. Menaxherët e hotelit thonë se ky ndryshim jo vetëm që do të ndihmojë mjedisin, por do të jetë pozitiv edhe për biznesin.

Westin Bonaventure është një kullë 37 katëshe me 1 mijë e 300 dhoma në qendër të Los Angelesit.

Zyrtarët e qytetit, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë Antonio Vijaraigosa njoftoi kohët e fundit se hoteli ishte certifikuar nga Green Seal, një organizatë jo-fitimprurëse, që inkurajon praktika të tilla.

“Presidenti Obama na ka kërkuar të gjithëve që të rishpikim tregëtinë në Amerikë dhe të krijojmë vende pune në industrinë e ruajtjes së mjedisit. Le të përqafojmë këtë sfidë”. - thotë ai

Ky është hoteli i parë në Los Angeles që certifikohet nga organizata Green Seal.

Gary Petersen, thotë se organizata e tij punon me hotelin në çdo fushë të funksionimit të tij:

“Ne inspektojmë të gjithë funksionimin e hotelit, në të gjitha aspektet nga shërbimi në dhoma deri tek peshqirët dhe letrën që ata përdorin, riciklimi, mbeturinat ushqimore, çdo gjë. Pastaj bëjmë rekomandime dhe sigurohemi që ndryshimet bëhen”.

Plehrat riciklohen dhe larjet bëhen me kimikate pastrues, që nuk dëmton mjedisin.

Mbeturinat nga kuzhina mblidhen për të prodhuar kimikate. Punonjësit e hotelit përdorin pastrues jo toksikë, llampat me energji të ulët përdorin më pak elektricitet.

Michael Sharçinski, drejtori menaxhues i hotelit, thotë se ishin disa prej punonjësve të hotelit që i propozuan ndryshimet. Ai thotë se certifikimi i hotelit si mbrojtës i mjedisit do të përdoret për ta reklamuar atë tek konsumatorët:

“Nga pikpamja e marketimit, hoteli ynë ka ndërmarrë një hap shumë pozitiv. Gjëja kryesore është se ne jemi të shqetësuar për ekonominë lokale dhe për mjedisin prandaj po përdorim më pak kimikate toksike, prodhime prej letre dhe po bëjmë përpjekje që mbeturinat ushqimore të riciklohen”.

Ndryshimi i praktikave të hoteli dhe edukimi i personelit kushton rreth 20 mijë dollarë. Riciklimi dhe praktikat e ashtuquajtura të gjelbëra, pritet të sjellin kursime prej mbi 200 mijë dollarësh për hotelin, ndërkohë që ulet ndotja e mjedisit.//mm//

XS
SM
MD
LG