Meqenëse procesi i paqes në Lindjen e Mesme ka ngecur, palestinezët po kërcënojnë të ndryshojnë taktikat dhe të mënjanojnë tavolinën e negociatave. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Robert Berger sjell hollësi nga Jeruzalemi.
Palestinezët thonë se planifikojnë t’i kërkojnë Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbështesë krijimin e shtetit palestinez pa pajtimin e Izraelit. Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat.
“Qëllimi i këtij veprimi është të mbajmë të gjallë shpresën në mendjet e palestinezëve.”
Zoti Erekat i tha Radios së Ushtrisë Izraelite se palestinezët e kanë humbur shpresën për procesin e paqes që kur kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mori postin para tetë muajsh. Palestinezët kanë kërkuar ngrirjen e plotë të ndërtimit të vendbanimeve si parakusht për rifillimin e bisedimeve të paqes, por zoti Netanjahu ka refuzuar duke ofruar vetëm një ngrirje të pjesshme.
Zoti Erekat tha se negociatat e paqes që filluan në vitin 1991 kanë dështuar në arritjen e objektivit të shtetit palestinez.
“Për palestinezët është shumë e qartë, se edhe tani pas 18 vjetësh, qeveria izraelite nuk është e gatshme të fillojë negociatat aty ku i kemi lënë në dhjetor 2008, por synimi i saj, strategjia e saj kryesore është ndërtimi i më shumë vendbanimeve.”
Izraeli thotë se bisedimet e paqes duhet të fillojnë pa parakushte, dhe zëvendës kryeministri Silvan Shalom dha këtë paralajmërim:
“Çdo deklaratë e njëanshme që do të bëhet nga palestinezët nuk do të bëjë që pala izraelite të ecë përpara për të arritur paqen me palestinezët.”
Zyrtarët izraelitë thonë se deklarimi i njëanshëm i pavarësisë do të humbte shanset e përpjekjeve të paqes, por shumë palestinezë thonë se procesi i paqes është gjithsesi tashmë i vdekur. //bsa//