Lidhje

Kina do të japë 10 miliardë dollarë hua për Afrikën


Kina tha se do t’u japë vendeve afrikane një hua prej 10 miliardë dollarësh me shkallë të favorshme interesi për një peridhë 3-vjeçare.

Kryeministri i Kinës, Uën Gja Bao e bëri këtë njoftim sot në Egjipt, në hapje të forumit dy-ditor lidhur me bashkëpunimin kino-afrikan.

Kryeministri kinez tha gjithashtu se Kina do të anullojë borxhet që i kanë asaj disa prej vendeve më të varfëra të Afrikës si dhe premtoi të ndihmojë në ndërtimin e 100 projekteve energjetike në këtë kontinent.

Në takim marrin pjesë udhëheqësit e 49 vendeve afrikane për të diskutuar rreth bashkëpunimit ekonomik e politik me Kinën.

Kompanitë kineze kanë investuar miliarda dollarë në Afrikë gjatë dekadës së kaluar në kërkim të materialeve dhe tregjeve për ekonominë në rritje të Kinës.

Kritikët thonë se Pekini ndihmon qeveri të akuzuara për shtypjen e popujve të tyre, veçanërisht Sudanin dhe Zimbabvenë. Në fjalimin e tij sot, kryeministri Uën tha se Afrika është e aftë të zgjidhë problemet e saj, duke përdorur forma afrikane. //mm//

XS
SM
MD
LG