Lidhje

SHBA: Anija me çelikun e Kullave Binjake, mbërrin në Nju Jork


Një anije luftarake amerikane e ndërtuar me çelik të marrë nga rrënojat e Qendrës Botërore të Tregtisë arriti në Nju Jork. Anija që mban emrin USS New York u ndal pranë Kuotës Zero ku përshëndeti me 21 të shtëna topi për nder të atyre që humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit, 2001 në Nju Jork. Të afërm të viktimave dhe njerëz të tjerë u mblodhën për të pritur arritjen e anijes në Nju Jork.

Anija USS New York hyri në qytet menjëherë pas agimit, e përshëndetur nga qindra njerëz.

Kiçi i anijes përmban 7.5 ton çelik të marrë nga Qendra Botërore e Tregtisë dhe në pjesën e saj të prapme ka imazhe të Kullave Binjake. Rreth 15 përqind e ekuipazhit është nga shteti i Nju Jorkut.

Anija u prit nga pjestarë të forcës policore, të zjarrfikësve dhe të shërbimit të ambulancave kur ajo ndaloi dhe përshëndeti me të shtëna topi.

Shumë njerëz kishin ardhur në përkujtim të ngjarjeve të 11 shtatorit 2001.

Bill Jennings, thotë se është diçka e bukur që çeliku nga rrënojat e Qendrës botërore të Tregtisë përdoret tani për të mbrojtur Amerikën.

Anija USS New York arriti në Mahatan nga Luiziana pas një lundrimi prej 22 ditësh.

Alison dhe David Sanderson kanë ardhur këtu nga New Orleans-i. David inspektoi anijen para se ajo të nisej. Ai thotë se ata që e ndërtuan atë e dinin se ky do të ishte një projekt i veçantë.

Anija do të qendrojë e hapur për t’u vizituar nga publiku për disa ditë. Njujorkezët do të mund të vijnë për të parë nga afër anijen që mban emrin e qytetit të tyre. //mm//

XS
SM
MD
LG