Lidhje

Të martën në Hagë rifillon gjyqi ndaj Radovan Karaxhiçit


Prokurorët në çështjen penale ndaj Radovan Karaxhiçit thonë se ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes orkestroi masakrën famëkeqe të Srebrenicës në vitin 1995 dhe e vetmja keqardhje që ndjen është fakti që disa burra myslimanë i shpëtuan masakrimit.

Kryeprokurori Alan Tieger u tha gjithashtu gjykatësve se Karaxhiçi personalisht drejtoi fushatën 44-mujore të terrorit kundër civilëve që jetonin në Sarajevë.

64-vjeçari Karaxhiç, i cili u kap vjet në Beograd, ndeshet me 11 akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij në luftën e Bosnjës të viteve 1992-1995.

Deri tani ai ka refuzuar të ndjekë punimet e procesit në Gjykatën e Hagës, i cili filloi javën e kaluar. Por avokatët thonë se Karaxhiçi do të marrë pjesë në seancën proceduriale nesër, ku do të diskutohet nëse procesi mund të vazhdojë edhe pa të.

Policia serbe e arrestoi Radovan Karaxhiçin vitin e kaluar, pasi kishte jetuar 12 vjet në arrati si një ndër personat më të kërkuar në botë.//lk

XS
SM
MD
LG