Lidhje

Autoritetet në Kosovë u bëjnë thirrje serbëve të marrin pjesë në zgjedhje


Në Kosovë, autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare po u bëjnë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhe të zgjedhin udhëheqësit e tyre të ligjshëm në zonat e banuara prej tyre. Fill pas këtyre zgjedhjeve pritet edhe ngritja e tri komunave të reja me shumicë serbe nga pesë syresh sa parashihen të krijohen nëpërmjet procesit të decentralizimit.

Por, udhëheqësit e serbëve të Kosovës janë të ndarë në qëndrimet e tyre. Njëri nga udhëheqësit e serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, Marko Jakshiq, thotë se serbët do të duhej të dëgjonin thirrjen e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, sipas të cilit nuk ka kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës.

“Çdo dalje e serbëve në këto zgjedhje nënkupton njohjen e Kosovës së pavarur, nënkupton mohimin e shtetit. Me daljen në zgjedhje, serbët e Kosovës ndahen nga Beogradi dhe Serbia.”

Ai u ka bërë thirrje qeverisë së Serbisë dhe kishës ortodokse serbe të fillojnë një fushtë të fuqishme kundër daljes së serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë. Ndërkaq, Momçillo Trajkoviç, nga Nisma e Rezistencës Serbe për pjesën qendrore të Kosovës, thotë se nuk e sheh daljen në zgjedhje si pranim të shtetit të Kosovës. Me pjesëmarrjen në zgjedhje, serbët e Kosovës, sipas zoti Trajkoviç, fitojnë instrumentet në nivelin lokal, që do t’u ndihmojnë atyre në përmirësimin e kushteve të jetës së përditshme...

“Mendoj se këtë pushtet real duhet ta marrin forcat reale, do të thotë ato forca që duan ta ndihmojnë popullin e vet”

Ai nënvizon se serbët që jetojnë poshtë lumit Ibër janë pajtuar që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, e organeve të drejtësisë, paguajnë shërbimet komunale dhe të drejtat e tyre i realizojnë nëpërmjet pushtetit lokal.

Janë 21 subjekte politike serbe që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit dhe sipas Sllobodan Petroviçit, kryetar i Partisë Liberale serbe, kjo është rruga më e mire për jetësimin e të drejtave të serbëve të Kosovës.

“E di me siguri se është shumë më e lehtë dhe më fitimprurëse nëse merresh me njëfarë patriotizmi apo të kritikoni, sesa të merreni me gjëra reale dhe me përparimin.”

Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë por sigurisht rrugën që ka ardhëmri për të gjithë, thotë zoti Petrovic, aktualisht nënkryetar i Parlamentit të Kosovës Zgjedhjet e 15 nëntorit janë të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe të parat që organizohen në tërësi nga institucionet e vendit.//kh//

XS
SM
MD
LG