Një grup dy-partiak po u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të udhëheqin përpjekjen për mbrojtjen e pyjeve tropikale në mbarë botën, si mënyrë për të lufutar ngrohjen globale. Komisioni për Klimën dhe Pyjet Tropikale po i kërkon Senatit ta bëjë shpyllëzimin pjesë qendrore të paketës ligjore për klimën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee sjell hollësitë lidhru me raportin e komisionit.
Në pyjet tropikale jetojnë më tepër se gjysma e kafshëve dhe bimëve të planetit tonë. Por 17 për qind e ndotjes me dioksidin e karbonit të botës vjen nga zona ku vendet i djegin pyjet dhe i kthejnë ato në ferma.
Kjo çliron më tepër gaze nga efekti serrë se sa të gjitha makinat e botës, trenat dhe avionët të marrë së bashku, sipas Komisionit për Klimën dhe Pyjet Tropikale. Mark Tercek i shoqatës për Konservimin e Natyrës thotë:
"Duhet të nxitojmë. Pyjet tropikale janë tepër të kërcënuara dhe ne mendojmë se është e rëndësishme që të fillojmë urgjentisht nga puna për t’i shpëtuar pyjet".
Ky koalicion dy partiak me udhëheqës biznesi dhe ish-formulues të politikave po i kërkojnë Shteteve të Bashkuara t’i shpëtojnë pyjet e mbarë botës dhe të paksojnë me një të dytën çlirimin e gazeve të efektit serrë deri në vitin 2020.
Bashkëkryetari i Komisionit dhe president i një instituti studimor liberal, John Podesta, thotë se ndalimi i shpyllëzimit do të ndihmojë në luftën kundër ngrohjes globale, një çështje klimatike që nuk mund të injorohet.
"Mendoj se mund të kemi më tepër raste të motit ekstrem, një numër më të madh refugjatësh për shak të ambjentit, përkeqësimin e konflikteve për burimet, dhe një thellim të vuajtjeve njerëzore".
Komisioni thotë se SHBA mund të ndihmojnë në parandalimin e një të ardhmeje të pakëndshme nëse Senati e vë shpyllëzimin në qendër të paketës për klimën. Ai sugjeron se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me vende të tjera dhe të investojnë 1 miliardë dollarë në fonde publike deri në vitin 2012. Komisioni inkurajon gjithashtu sektorin privat që të kontribuojë me 9 miliardë dollarë çdo vit deri në vitin 2020.
“Dhe këto dollarë do të shpenzoheshin dhe investoheshin për sisteme monitorimi, verifikim, trainim dhe menaxherë të mirë të tokës”.
Fondet do të shërbenin edhe si shpërblime financiare duke paguar vendet që ndalojnë shpyllëzimin. Shtysa për sektorin privat është se nëse kompanitë kontribuojnë për të shpëtuar pyjet tropikale, atyre nuk do t’i duhet të shpenzojnë para për të eliminuar çlirimine e dioksidit të karbonit nga aktiviteti i tyre.
Shpyllëzimi pritet të jetë një çështje kryesore në konferencën e OKB-së për ndryshimet e klimës në Danimarkë në dhjetor. 18 krerë shtetesh kanë shprehur angazhimin e tyre për investimin e fondeve për ndaljen e shpyllëzimit. Komisioni po i bën thirrje Shteteve të Bashkuara që të drejtojnë përpjekjet.
Disa konservatorë në Kongresin amerikan e kundërshtojnë konsensusin shkencor se ngrohja globale është shkaktuar nga njeriu dhe thonë se përpjekjet për të luftuar ndryshimet globale do t’i kushtojnë shtrenjtë ekonomisë amerikane.Xhon Podesta nuk është dakord:
“Në vitin 2009 është më e qartë se kurrë se ndeshja me një të ardhme të frikshme po afrohet me shpejtësi”.
Komisioni thotë se ruajtja e pyjeve është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare. Shpyllëzimi dhe prerja e paligjshme e pemëve kanë ndihmuar në financimin e konflikteve të armatosura në vende si Liberia. Komisioni thotë se paqja dhe pajtimi mund të arrihet përmes programeve që shpëtojnë pyje.
Anëtarët
e komisionit kanë në plan të takohen me administratën e Presidentit Obama dhe
ligjvënës me peshë javët e ardhshme për të diskutuar detajet e pakësimit të
gazeve që shkaktojnë efektin serrë. //iç//