Që nga publikimi i numrit të parë të revistës ‘People’, ky organ është bërë
pjesë e skenës kulturore amerikane. Çdo javë revista boton dhjetëra artikuj dhe
fotografi si të njerëzve të njohur, ashtu edhe të amerikanëve të thjeshtë. Këtë
muaj gazeta po shënon 35-vjetorin e saj.
Numri i revistës ‘People’ kushtuar 35-vjetorit të të përjavshmes doli këtë muaj në treg.
Kryeredaktorja Galina Espinoza thotë se numri që hodhi në treg revista mbi përvjetorin ofron momente të historisë së Amerikës gjatë 3 dekadave të fundit.
“Çdo gjë, që nga rënia e Murit të Bernilit, gjyqi kundër O. J. Simposon, sulmet e 11 shtatorit e deri tek presidenti i parë afrikano-amerikan. Kemi mbuluar edhe lidhje dashurie si ajo mes Brad Pitt dhe Angelina Jolie, Farah Fawcett dhe Ryan O’Neal, dhe muzikantë të suksesshëm gjatë këtyre 3 dekadave. Pra një zgjedhje shumë eklektike në këtë numër.”
Kjo përzgjedhje, thotë ajo, pasqyron esencën e kësaj reviste:
“Kemi një përzierje të njeriut të zakonshëm me atë të famshëm, të gjithë njerëz që ofrojnë histori të mrekullueshme jete. Na pëlqen të kemi zhvillime dramatike me shumë emocion. Po ashtu duam njerëz të pëlqyeshëm, tek të cilët lexuesi mund të gjejë pika tëpërbashkëta. Çdo javë i theksojmë vetes misionin tonë: të tregojmë histori të individëve të thjeshtë që kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme”, thotë zonja Espinoza.
Në kopertinën e çdo numri, thotë ajo, është fotografia e dikujt për të cilin lexuesit duan të dinë më shumë. Pikërisht për këtë arsye Princesha Diana ishte në kopertinën e revistës mbi 50 herë. Julia Roberts, Brad Pitt dhe Michael Jackson ishin në kopertinën e disa prej numrave më të sukseshëm. Por në kopertinë ka disa herë edhe fotografi amerikanësh të thjeshtë.
Si të gjitha organet e tjera të shtypit, revista ‘People’ është detyruar të gjejë mënyra për të kapërcyer sfidat që paraqet revolucioni teknologjik. Zonja Espinoza shton:
“Sfida më e madhe, padyshim është se shumica e njerëzve përdorin internetin për të marrë informacion. Shitja e revistave ka rënë, pasi njerëzit preferojnë gjithnjë e më shumë variantin elektronik, se sa atë të shtypur. Tani lexuesi ka shumë alternativa. Për këtë arsye, disa vjet më parë hapëm faqen tonë elektronike people.com”.
A do të shohim ditën kur varianti elektronik të zëvendësojë plotësisht variantin e shtypur?
“Pikërisht me këtë pyetje po përpëliten mendjet më të ndritura të medias sot dhe askush nuk duket se e ka gjetur përgjigjen. Mendoj se do të duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë të natyrshme dhe ka shumë gjasa që edhe variantet e shtypura të vazhdojnë të ekzistojnë, por me tirazh të reduktuar. Megjithatë, nuk i dihet. Unë për vete mendoj se nuk ka si kënaqësia që të shtrihesh në rërë, në buzë të detit me një revistë në dorë. Nuk më duket se ta lexosh revistën në kompiuter, ulur në plazh, ofron të njëjtën kënaqësi”, shton zonja Espinoza.
Një sfidë tjetër është përhapja e mjeteve të komunikimit në të gjithë botën gjë që vë para përgjegjësisë organet e shtypit që të jenë më të lidhura me çdo cep të globit, të kenë njerëz më të përgatitur në çdo skaj dhe të jenë gjithnjë të gatshëm të përqafojnë të renë.
Kryeredaktorja e revistës ‘People’ Galina Espinoza thotë se në 35-vjetorin e saj, e përjavshmja po i analizon këto sfida me synimin që të bëhet sa më krijuese. Por filozofia bazë e revistës mbetet e njëjta: t’u ofrojë lexuesve histori të jashtëzakonshme nga njerëz të zakonshëm. //mm//