Presidenti i Komisionit Evropian Hoze Emanuel Barrozo thotë se nuk është në interesin e Republikës Çeke që të vazhdojë të vonojë miratimin e traktatit për reformimin e Bashkimit Evropian.
Zoti Barroso duke folur me gazetarët sot pasi u takua me kryeministrin çek Jan Fisher, i kërkoi vendit që të respektojë angazhimet e veta.
Parlamenti çek ka miratuar ratifikimin e traktatit që ka si synim reformimin e vendim-marrjes në Bashkimin Evropian, por deri tani Presidenti çek Vaclav Klaus ka refuzuar ta nënshkruajë atë.
Zoti Klaus ka shprehur rezerva për traktatin, duke përmendur shqetësimet se ai do të prekte sovranitetin çek. Ai ka kërkuar gjithashtu garanci se traktati nuk do t’i lejojë gjermanët etnikë që ishin përzënë nga vendi i tij pas Luftës së Dytë Botërore, që të pretendojnë pasuritë e tyre.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese Çeke tha sot se do ta shqyrtojë një ankesë të një grupi ligjvënësish, që shtrojnë pyetjen nëse Traktati i Lisbonës shkel ligjin çek. Seanca do të mbahet më 27 tetor. //ze