Lidhje

Diskutime për ndryshimin e strategjisë në Afganistan


Në tetë vjetorin e ndërhyrjes nëAfganistan të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, presidenti amerikan Barak Obama u takua me dyer të mbyllura me anëtarët e ekipit të sigurisë kombëtare për të diskutuar ndryshime të mundshme të strategjisë. Pjesë e ndryshimit të strategjisë është rishikimi dhe përqëndrimi në Pakistanin fqinj.

Më 7 tetor të vitit 2001, presidenti i atëhershëm Xhorxh W Bush deklaroi fillimin e luftës në Afganistan.

“Ne nuk do të lëkundemi, nuk do të lodhemi, nuk do të hezitojmë. Dhe ne nuk do të dështojmë.”

Kur Barak Obama u bë president këtë vit, ai deklaroi se do të ketë një qasje rajonale ndaj këtij konflikti. Ai tha se lufta në Afganistan nuk mund të fitohej pa i mundur terroristët dhe ekstremistët që operojnë në Pakistanin fqinj.

“Në këto tetë vitet që nga 11 shtatori i vitit 2001, al-Kaida dhe aleatët e saj ekstremtistë kanë kaluar në anën tjetër të kufirit me Pakistanin. Dhe është pothuaj e sigurtë se në këtë lëvizje janë përfshihirë edhe udhëheqësit e al-Kaidës Osama bin Ladeni dhe Ajman al-Zawahiri.”

Pakistani mbetet komponent kryesor i strategjisë së presidentit Obama në Afganistan, dhe po merret parasysh në rishikimin e strategjisë nga Shtëpia e Bardhë.

Në mesin e atyre që po marrin pjesë në takimet me dyer të mbyllura është edhe udhëheqësi i CIA-s, Leon Paneta. Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës kohëve të fundit, ai foli mbi lidhjen në mes shpartallimit të regjimit Talibanë në Afganistan dhe mbështetësve të tyre në Pakistan.

“Ne mendojmë se ata po inkurajohen nga al-Kaida në Pakistan, dhe ata po vazhdojnë të marrin inkurajime nga terroristë që janë të vendosur në Pakistan dhe për këtë arsye, ne i shohim ata si një kërcënim për paqen në Afganistan”.

Këshilltarët kryesorë të presidentit mbi çështjet ushtarake dhe politikën e jashtme, dje janë thirrur në Shtëpinë e Bardhë për një takim me dyer të mbyllura me presidentin Obama ku kryesisht u diskutua mbi Pakistanin.

Pak kohë para këtij takimi, zëdhënësi i Shtepisë së Bardhë Robert Gibbs tha se administrata beson se qeveria e Pakistanit po i rrit përpjekjet për të luftuar ekstremistët.

“Përmes bashkëpunimit tonë me pakistanezët, ne kemi bërë përparim të madh drejt dobësimit dhe shkatërrimit të al-Kaidës.”

Zëdhënësi Gibs tha se ai nuk do të jepte më shumë hollësi për shkak të nevojës për të mbrojtur informacionet e ndjeshme të zbulimit. Por ai la të kuptohet se bëhej fjalë për takimin privat të presidentit me ekipin e tij të sigurisë kombëtare.

“Unë mendoj se ne do të bëjmë një shqyrtim të hollësishëm të pozitës sonë në Pakistan, hapat që janë marrë nga qeveria e Pakistanit përmes bashkëpunimit të madh, por natyrisht edhe hapat që po i marrin tani për të vazhduar luftën kundër ekstremistëve në vendin e tyre.”

Zoti Gibs tha se çështja e rritjes së numrit të trupave amerikane në Afganistan nuk do të diskutohet në këtë takim. Por ai pohoi se presidenti ka marrë një kërkesë formale për burime shtesë nga komandanti i forcave amerikane në Afganistan, gjenerali Stenli Mekristël. //kk//

XS
SM
MD
LG