Lidhje

Riciklimi i produkteve të përdorimit të përditëshëm


Me rritjen e vazhdueshme të popullatës që gjeneron dhe flak një sasi të madhe mbeturinash, është tepër e rëndësishme të zhvillohen metoda dhe teknologji të reja për të ricikluar materialet e përdorura. Në serinë e përjavëshme “prirjet e gjelbra”, kolegia Isabela Çoçoli na sjell hollësi për prodhimet e një punishteje në Afrikën e Jugut që përdor shishet e ricikluara, për një teknologji përpunimi të mbetjeve plasike dhe për ndërtimin e anijeve me shishe të rickluara, po plastike.

Afaristi afrikano-jugor, Sean Penrith, përdor shishe qelqi për të krijuar gota uji, duke pastruar njëkohësisht edhe rrugët nga shishet e hedhura.

Një mbrëmje në fillim të viteve 90-të, e shoqja u mendua për disa momente kur po hanin darkë dhe pyeti se çfarë forme do të kishe një shishe vere për ta bërë atë më tërheqëse.

Ngjarjet pasuan njëra tjetrën, dhe sot Sean ka punishten e tij të qelqit ku punëson banorët dhe prodhon gota për njerëzit që preokupohen për mjedisin.

Dizenjot e Sean-it janë të ndryshme dhe prodhimet e tij përfshijnë gota uji, që shumë njerëz i porositin nga shishet e tyre të preferuara.

Në Afrikën e Jugut si dhe në shumë vende në zhvillim, shishet e hedhura përbëjnë një problem të madh, dhe një pjesë e madhe e tyre përfundojnë nëpër rrugë apo në vijat ujore. Duke përdorur në një formë të vlefshme shishet, Sean shpreson të pastrojë rrugët lokale, duke krijuar diçka që është sa funksionale aq edhe estetike.

****

Mbeturinat plastike nëpër shtëpi, riciklohen tani vetëm për të prodhuar artikuj të thjeshtë si qese plastike për dyqanet dhe qese plehrash.

Por shkencëtarët britanikë kanë arritur të demostrojnë se si mbetjet plastike mund të riciklohen dhe të përdoren për artikuj plastikë, mes tyre edhe pjesë për ndërtimin e makinave.

Provat dhe analizat e kujdesëshme kanë treguar se prodhimet plastike e ruajnë fortësinë dhe nuk disgregohen me kalimin e kohës siç mendohej më parë.

Hapi tjetër është të binden prodhuesit për cilësitë e plastikës dhe në qoftë se ajo plotëson standarded industriale mund të jetë një opcion i dobishëm në një ardhme të afërt.

Deri tani, një prodhues është bindur që t’i kthejë shishet plastike të qumështit në bidonë pesë litërsh dhe një tjetër e ka përdorur me sukses materialin e ricikluar plastik për ventilatorë makinash.

****

Ambjentalisti britanik David de Rothchild po ndërton një anije pothuajse krejtësisht me shishe plastike. Ai e ka quajtur atë "Plastiki" dhe ka në plan ta nisë nga porti i San Franciskos për në Australi.

Zoti de Rothchild synon që me këtë anije të veçantë të transmetojë mesazhin e tij për ruajtjen e mjedisit. Atij ju desh të bënte një punë të madhe bindëse me arkitektët për realizimin e projektit.

Trupi i anijes është i ndërtuar i gjithi nga shishe plastike dhe skeleti i saj po ashtu do të jetë prej materialesh të ricikluara. Një nga sfidat e projektit ishte të gjendej një solucion ngjitës për shishet, njëkohësisht i padëmshëm për mjedisin dhe kjo është një substancë ngjitëse që i reziston ujit, e përbërë nga arra dhe sheqer.

Anija "Plastiki" do ta përshkrojë udhëtimin San Fransisko - Australi për 100 ditë, do të ketë një ekuipazh të plotë që i duhet të përballojë sfidat që mund të paraqesë ku mjet i pazakontë lundrues.

Ndërtimi i anijes "Plastiki" është planifikuar të përfundojë këtë muaj dhe në nëntor ajo pritet të niset drejt Sidneit.

XS
SM
MD
LG