Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts thotë se forcat amerikane nuk do të tërhiqen nga Afganistani pavarësisht nga rezultater e rishikimit të strategjisë nga presidenti Barak Obama.
Zoti Gejts i tha rrjetit televiziv CNN mbrëmë në darkë se Shtëpia e Bardhë po vendos hapat e ardhshëm që do të ofrojnë mënyrën për të fituar luftën kundër militantëve talebanë në Afganistan.
Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton, e cila u intervistua gjithashtu nga CNN, tha se administrata e presidentit Obama dëshiron të gjejë mënyrën më të mirë për të përmbushur objektivat amerikane në rajon.
Sekretari Gejts tha se vendimi i zotit Obama mbi këtë çështje do të jetë ndër më të rëndësishmet e presidencës së tij.
Dje, zoti Gejts tha gjatë një konvente të ushtrisë amerikane në Uashington se oficerët ushtarakë dhe civilë që këshillojnë zotin Obama për Afganistanin duhet t’i japin presidentit këshillën më të mirë “sinqerisht por privatisht.”
Ai tha se kur komandanti i forcave të armatosura të marrë vendimin, Pentagoni do ta ekzekutojë atë me besnikëri dhe sa më mirë që të jetë e mundur. //bsa//