Lidhje

Kosovë: Dënohen me burgim tre ish-pjesëtarë të UÇK-së


Një Gjykatë në Prishtinë e drejtuar nga gjykatës të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, shpalli fajtorë dhe i dënoi me gjithsejtë 13 vjet heqje lirie, tre ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare nën akuzat për krime lufte.

Rrustem Mustafa i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, u dënua me 4 vjet heqje lirie, Latif Gashi me 6 vjet dhe Nazif Mehmeti me 3 vjet heqje lirie. Të tre këta u shpallën fajtor për krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur.

Sipas akuzës, ata janë përgjegjës për arrestimin e paligjshëm, trajtim jonjerëzor, rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës në rajonin e Llapit në veri të Prishtinës.

Në korrik të vitit 2003, një Gjykatë e Misionit të Kombeve të Bashkuara pati dënuar Rrustem Mustafën me 17 vjet heqje lirie, Nazif Mehmetin me 13, Latif Gashin me 10 dhe të akuzuarin e katërt Naim Kadriu me 5 vjet heqje lirie nën akuzat për arrestim të paligjshëm, torturim, trajtim jonjerëzor dhe vrasje të civilëve gjatë luftës në Kosovë.

Në qershor të vitit 2005 Gjykata e Lartë e Kosovës pati vendosur të kthejë në rigjykim këtë rast. Më 7 korrik të këtij viti, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë filloi rigjykimi i drejtuar nga EULEX-i. Prokurori i çështjes hoqi dorë nga akuzat për vrasje.

Avokatët mbrojtës paralajmëruan ankesë ndaj vendimit të sotëm, duke e cilësuar atë proces me prapavijë politike.//lk

XS
SM
MD
LG