Lidhje

Kosovë: Laboratori i ri për virusin H1N1


Sot në Prishtinë, është përuruar laboratori i ri i cili mundëson analizat dhe për diagnostifikimin e gripit, përfshirë edhe virusin A H1N1 i njohur si gripi i derrave, por edhe sëmundje të tjera. Autoritetet thanë se ngritja e këtij laboratori që është investim i përbashkët i qeverisë së vendit dhe Bankës Botërore është një ngjarje e rëndësisë së veçantë për vendin. Përfaqësues të Bankës Botërore thanë se kjo është qendër e cilësisë së lartë e cila është ngritur në pajtim me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ngritja e këtij laboratori u jep fund vështirësive të deritashme dhe pritjeve të gjata për analizat laboratorike tek rastet e dyshuara si të prekur me virusin A H1N1. Deri tani analizat e tilla janë kryer në Beograd nëpërmjet Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Që nga shfaqja e gripit A H1N1, në Kosovë janë konfirmuar 6 persona të prekur nga ky virus, ndërsa si të dyshuar janë trajtuar edhe 14 raste të tjera.

Laboratori është pjesë e Rrjetit evropian të mbikëqyrjes së gripit dhe sëmundjeve tjera. Ngritja e tij, sipas autoriteteve do të jetë në të mirë edhe të vendeve të rajonit dhe do të shtojë komunikimin ndërshtetëror në fushën e mjekësisë.

Ata thanë se ngjarja e sotme shënon një fazë të re të përpjekjeve për përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë që është përballur me shumë vështirësi që nga përfundimi i luftës në vend.

XS
SM
MD
LG