Lidhje

Vendi i dollarit në botën e biznesit



Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick tha se roli i dollarit amerikan si monedhë e rezervave në mbarë botën mund të jetë duke u ulur si rezultat i krizës financiare. Megjithëse ai tha se dollari do të mbetet një forcë ekonomike e rëndësishme, Zoellick shtoi se balanca e kësaj force po ndryshon. Dhe ndërsa sistemi financiar global zhvillohet, Zoellick thotë se monedha të tjera përfshi këtu euron dhe huanin kinez mund të bëhen alternativa gjithnjë e më tërheqëse.

Pas rënies së ekonomisë globale, kreu i Bankës Botërore thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të supozojnë se dollari do të jetë gjithmonë monedha e biznesit të botës. Duke folur në universitetin Johns Hopkins për Studimet Ndërkombëtare në Uashington, Robert Zoellick tha se financat botërore po pësojnë një tronditje sizmike.

"Shtetet e Bashkuara do të gabonin në se e shohin si të paprekshëm vendin e dollarit si monedha predominuese e rezervave në botë. Në të ardhmen, do të ketë të tjera alternativa përveç dollarit".

Mes këtyre, Zoellick thotë se euroja dhe huani i quajtur edhe Renminbi po përdoren gjithnjë e më shumë.

Zoellick theksoi lëvizjen e fundit të Kinës për të radhitur kompani të huaja në tregun e saj të këmbimit të aksioneve si një hap drejt kthimit të vendit komunist në një fuqi financiare globale.

"Kina po e bën më të lehtë për partnerët ndërkombëtarë të bëjnë biznes me Renminbi për shembull përmes këmbimit të monedhës. Ka të ngjarë ta shohim këtë ndryshim edhe në fushën e investimeve".

Zoellick vuri pikëpyejte gjithashtu rolin që luajti banka qëndrore në krizën ekonomike. Ai komentoi për debatin në kongres mbi pushtetin që Rezerva Federale duhet të ketë duke thënë se Departamenti i Thesarit mund të jetë institucion më i përshtatshëm për të regulluar sistemin financiar amerikan.

"Në Shtetet e Bashkuara do të jetë e vështirë t’u japësh teknokratëve të pavarur dhe të fuqishëm të Rezervës Federale më shumë autoritet. Pikëpamja ime për menaxhimin e krizës së fundit është se Departamenti i Thesarit duhet të kishte më shumë autoritet për të vendosur rregulla. Për më shumë departamenti i thesarit është një department ekzekutiv dhe kështu që kongresi dhe publiku mund të shohin drejtpërdrejt se si përdoret çdo kompetencë e re".

Lidhur me takimin e nivelit të lartë në Pitsburg javën e kaluar të ekonomive më të mëdha, Zoellick përshëndeti rezolutën që e bën G-20 forumin kryesor për bashkëpunimin financiar global. Por për ta ruajtur këtë legjitimitet, Zoellick thotë se vendet anëtarë të G-20 duhet të dëgjojnë zërat e 160 vendeve të tjera që mbeten jashtë.

"Është mirë të ndihmohen vendet më të varfëra, 1 presje 6 miliardë njerëz që janë ende pa energji elektrike dhe ata që janë të bllokuar në varfëri për shkak të konflikteve dhe qeverisjes së dobët".

Komentet e Zoellick vijnë ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore përgatiten të mbajnë takimin vjetor në Stamboll javën e ardhshme.//rd//

XS
SM
MD
LG