Lidhje

Kosovë: Sulm ndaj një makine të EULEX-it, pa viktima


Zyrtarë të policisë në Kosovë thanë se persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri një makinë të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, por pa pasoja në njerëz.

Incidenti ka ndodhur në rrugën kryesore që lidh njërën nga komunat veriore të vendit, të banuar më shumicë serbe, me vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vendin e quajtur Bërnjak. Sipas policisë incidenti ka ndodhur gjatë kohës kur makinat e policisë së EULEX-it, po përcillnin zyrtarët e doganave të këtij misioni.

Një ekip i posaçëm i hetuesve po mbledh provat rreth këtij incidenti. Vendkalimi kufitar ku ka ndodhur incidenti ishte djegur nga protestuesit serbe në shkurt të vitit 2008, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Që atëherë doganat në këtë zonë nuk kanë funksionuar. Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës kanë kundërshtuar synimet e EULEX-it për rihapjen e doganave në këtë zonë.//lk


XS
SM
MD
LG