Lidhje

Gjykata e Beogradit liron dy të akuzuarit për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi


Një gjykatë për krime lufte në Beograd, la të lirë sot dy ish pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë,që akuzoheshin për ndihmë në vrasjen e tre shtetasve amerikane me origjinë shqiptare, pak ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Sreten Popoviç nga Nishi dhe Millosh Stojanoviç nga Krushevci një qytet jugor i Serbisë, akuzoheshin për përfshirje në vrasjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, në vitin 1999, trupat e të cilëve u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Sello në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Të tre vëllezërit ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë të Amerikës. Në fund të korrikut 1999 ata u arrestuan nga forcat serbe nën akuzat për kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë. Një gjykatë në qytetin e Prokupljes i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie. Katër ditë para përfundimit të dënimit ata u morën nga burgu dhe u dërguan në Petrovo Sello ku janë vrarë nga një distancë e afërt.

Dy të akuzuarit, sipas prokurorisë, ua kishin dorëzuar vëllezërit Bytyqi pjesëtarëve të panjohur të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët më pas i kanë vrarë. Trupat janë gjetur në një varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Gjykata në Beograd tha sot se akuzat ndaj tyre nuk janë vërtetuar. Procesi kundër dy ish policëve serbë filloi më 13 nëntor 2006 dhe zhvillimi i tij u përcoll me reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes. Shefja e Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd Natasha Kandiç, e cila përfaqësonte familjen Bytyqi, u tërhoq nga procesi në muajin qershor të këtij viti duke thënë se "autoritetet po mbrojnë ata që urdhëruan vrasjet".

Familja dhe veprimtarët e Fondit Humanitar kanë shprehur bindjen se në këtë vrasje ishin përfshirë edhe ish zyrtarë të lartë serbë, mes tyre ish komandanti i Njësisë së Posaçme Antiterroriste të Serbisë, Goran Radosavljeviç, i njohur me nofkën Guri.//lk

XS
SM
MD
LG