Lidhje

OKB-ja, në krye të përpjekjeve për klimën globale


Organizata e Kombeve të Bashkuara po vihet në krye të përpjekjeve për të ngadalësuar ngrohjen globale. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun e ka bërë ngrohjen globale një nga çështjet që ai ka më për zemër dhe po përpiqet të nxisë bisedime për një traktat të ri global në këtë front. I tillë është edhe samiti i sotëm në Nju Jork me pjesmarrjen e rreth 100 kryetarësh shtetesh dhe qeverish, i cili mund të sinjalizojë sa sa përparim mund të arrihet drejt realizimit të traktatit në takimin që do të mbahet në Kopenhagë në fund të vitit.



Shkencëtarët thonë se toka po ndryshon dhe jo për mirë. Akullnajat po shkrihen me shpejtësi, nivelet e detrave po rriten dhe moti i keq është më i shpeshtë me vërshime dhe thatësira që dëmtojnë të mbjellat dhe bagëtinë.

Shkencëtarët thonë se e ardhmja mund të jetë e zymtë për brezat nëse ngrohja globale nuk frenohet me shpejtësi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Mun e pa nga afër këtë realitet gjatë vizitës së tij në Arktik.

“Duke qëndruar mbi akullin e Arktikut ndjeva fuqinë e pafund të natyrës. Në të njëjtën kohë, ndjeva një sens urgjence dhe ndjeshmërie për botën tonë. I shihja akullnajat tek shkriheshin dhe zvogëloheshin. Nëse nuk ndërmarrim një veprim të shpejtë për të parandaluar shkrirjen e tyre, shkencëtarët paralajmërojnë se aty nga viti 2030 do të kemi një Arktik pa akull”.

Shkaku kryesor i ngrohjes globale është rritja e nivelit të dioksidit të karbonit në atmosferë. Ai çlirohet përmes aktiviteteve të tilla si djegja e naftës dhe e qymyrit apo prerja e pyjeve. Industria, bujqësia bashkëkohore dhe shpyllëzimi në të gjitha vendet ndikojnë në ngrohjen globale, por shumë ekspertë thonë se Kina, Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe Indonezia çlirojnë sasitë më të mëdha të dioksidit të karbonit.

Bashkësia ndërkombëtare dëshiron një marrëveshje të re për klimën globale e cila do të zvogëlonte çlirimin e këtyre gazeve me shpresën se negociatat do të sjellin marrëveshjen në takimin që do të mbahet në kryeqytetin e Danimarkës në muajin dhjetor.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së po përpiqet t’i jap negociatave një nxitje politike duke organizuar një takim për ndryshimet klimatik ku po marrin pjesë 100 udhëheqës botërorë, të cilët kanë ardhur për seancën vjetore të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së.

Andrju Deutz i organizatës “Nature Conservancy” thotë se udhëheqësit duhet të angazhohen për një shkurtim domethënës të gazrave që shkaktojnë efektin serë –së paku 25 deri 40 përqind—para se ata të takohen në Kopenhagë.

“Ne kemi nevojë për angazhime në pakësimin e këtyre gazeve që çlirohen nga vendet e pasuara. Ne dëshirojmë që vendet në zhvillim të bien dakord për të filluar pakësimin e çlirimit të gazeve. Ata nuk mund të vazhdojnë me nivelet që kanë – por ne dëshirojmë që ekonomitë e tyre të vazhdojnë të zhvillohen”.

OKB-ja po bën përpjekje për të pakësuar çlirimin e gazeve ndotëse dhe po kërkon mënyra për tu ofruar teknologji dhe ndihmë financiare vendeve në zhvillim që ato të përballojnë ndikimin e ngrohjes globale. OKB-ja dhe organizatat e tjera llogarisin që kjo të kushtojë mes 400 dhe 600 miliard dollarë në vit.

“Kjo duket një shifër shumë e madhe po të mos shikosh se sa kushton paketa për stimulimin e ekonomisë amerikane, se sa kemi kemi shpenzuar për të ndihmuar kompaninë e sigurimeve AIG. Paketa e parë financiare ishte 700 miliard dollarë. Ndërsa për t’ju përgjigjur ngrohjes globale në të 130 vendet në zhvillim kushton më pak se sa ndihmat financiare për Wall Street-in.”

Ndërkohë që negociatorët punojnë për të arritur një marrëveshje deri në dhjetor, Sekretari i përgjithshëm I OKB-së thotë se secili mund të bëjmë pjesën e tij për të ndihmuar tokën. Ai i tha Zërit të Amerikës se qoftë edhe ndryshime të vogla në mënyrën e jetesës mund të luajnë rol të madh dhe ai vetë e praktikon atë që kërkon nga të tjerët.

“Kudo që udhëtoj dhe qendroj gjithnjë shuaj dritat. Ujin e përdor me shumë kursim dhe përpiqem të mos ndikoj në ngrohjen globale. Përpiqem që kudo të jap shembullin tim.”

Sekretari i Përgjithshëm thotë se është urgjente që bashkësia ndërkombëtare të përpiqet për arritjen e marrëveshjes në Kopenhagë pasi planeti ynë nuk mund të presë.

XS
SM
MD
LG