Lidhje

Obama, politikë e re për mbrojtjen antiraketë në Europë



Presidenti Barak Obama po heq dorë nga planet për instalimin e një sistemi të mbrojtjes nga raketat me interceptorë në Poloni dhe një pajisje radari në Republikën Çeke. Siç njofton Paula Wolfson e Zërit të Amerikës, kjo shënon një përmbysje dramatike të një politike të administratës Bush e cila krijonte tensione të thella me Rusinë.

Presidenti Obama thotë se po heq dorë nga propozimi i administratës Bush duke e zëvendësuar atë me një plan që është më elastik dhe më i efektshëm.

"Mënyra më e mirë për të forcuar me përgjegjshmëri sigurinë tonë dhe të aleatëve është instalimi i një sistemi të mbrojtjes nga raketat i cili i përgjigjet më së miri kërcënimeve me të cilat ne ndeshemi dhe që përdor teknologji e cila është e sprovuar dhe me kosto të efektëshme." Ai tha se e mori këtë vendim nisur në një masë të madhe nga informacionet e reja të zbulimit që tregojnë se Irani po përqendrohet në prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi. Politika e mëparshme për mbrojtjen nga raketat bazohej mbi supozimin se Teherani po përpiqej të zhvillonte aftësi për prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi. "Ky program i ri për mbrojtjen nga raketat balistike do të përballojë më së miri kërcënimin që përbën programi i tanishëm iranian për mbrojtjen nga raketat balistike."

Zoti Obama tha se ky ndryshim në politikë mori shkas gjithashtu nga zhvillimet në teknologji përfshirë përmirësimet e interceptorëve me bazë në tokë dhe në det si dhe të sensorëve që i mbështesin ata. Këto sisteme të përmirësuara, tha ai, do të instalohen gradualisht, duke filluar aty nga viti 2011. Sipas planit të tij, pajisja e madhe e centralizuar e radarit e propozuar për t’u vendosur në Republikën Çeke, nhuk do të jetë e nevojshme, po ashtu edhe interceptorët e teknologjisë më të vjetër të planifikuar për Poloninë. "Me pak fjalë: arkitektura jonë e re e mbrojtjes nga raketat në Europë do të krijojë një mbrojtje më të fuqishme, më inteligjente dhe më të shkathët të forcave amerikane dhe atyre aleate." Presidenti Obama e bëri njoftimin në Shtëpinë e Bardhë pasi informoi fillimisht udhëheqësit e Polonisë dhe të Republikës Çeke.

Ai tha se vendimi për të hequr dorë nga plani i vjetër i mbrojtjes nga raketat në asnjë mënyrë nuk e ul angazhimin e Amerikës ndaj sigurisë së saj.

Ky ndryshim në politikë me siguri që do të jetë në axhendën e tij javën e ardhëshme kur Presidenti Obama të takohet në Kombet e Bashkuara ose në samitin e Grupit të 20-shes, me presidentin e Rusisë Dmitiri Medvedev. Planet për një sistem të mbrojtjes nga raketat në disa pjesë të ish bllokut sovjetik kanë qenë një element irritimi mes Uashingtonit dhe Moskës. Duke bërë këtë njoftim, Presidenti Obama përsëriti se motivi i Amerikës për një mburojë antiraketë nuk ka patur kurrë të bëjë me Rusinë.

"Fokusi ynë i vazhdueshëm dhe i qartë ka qenë te kërcënimi që përbën programi iranian i raketave balistike."

Udhëheqësit republikanë në Kongresin amerikan e kritikuan pa humbur kohë vendimin e Presidentit Obama. Në një deklaratë me shkrim, kreu i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bejner i Ohajos, akuzoi Shtëpinë e Bardhë se po fuqizon Rusinë në kurriz të aleatëve europianë të Amerikës.

//rd//
XS
SM
MD
LG