Trafiku është bërë tashmë pjesë esenciale e jetës së përditëshme, qoftë ai tokësor, ajror apo detar, por njëkohësisht vazhdon të jetë faktor ndotës për planetin përmes çlirimit të gazit karbonik, që sjell ngrohjen globale. Studimet më të fundit provojnë se çlirimi i dioksidit të karbonit në atmosferë është mëse dyfishuar që nga vitet 90-të, prandaj lind nevoja për të bërë ndryshime në praktikën e përditëshme. Veçanërisht në vendet e zhvilluara po bëhen përpjekje për të projektuar mjete transporti që e ndotin më pak ose aspak mjedisin. Në serinë e përjavëshme “prirjet e gjelbra”, kolegia Isabela Çoçoli na sjell hollësi për projekte të reja motorçikletash, makinash dhe avionësh më miqësorë për mjedisin.
Tesla Motors, një prodhues makinash në Kaliforni, ka projektuar një veturë me kapacitetin e fuoristradave sportive. Tesla Roadster, siç quhet ajo, e ka shpejtësinë maksimale 200 km në orë dhe përshkon rreth 400 kilometra me një ngarkim baterie.
Sipas zyrtarëve të Tesla-s, makina mund të marrë shpejtësinë nga zero në 100 km në orë për 4 sekonda. Bateria e saj që nuk çliron gaz karbonik, është prej lithiumi dhe makina nuk bën zhurmë. Madje Roadster ka fituar mbështetjen edhe të Guvernatorit të Kalifornisë, Arnold Swartzenegger, i cili mbështet nismat për makina miqësore ndaj mjedisit, pa karburant nafte.
Me një kosto prej pak më shumë se 1 cent për km, Telsa Roadster po e përballon me sukses skepticizmin e disa njerëzve dhe po hap rrugën e kalimit nga makinat me karburant nafte tek ato elektrike.
Një prodhues japonez motorçikletash ka prezantuar kohët e fundit dy tipe hibride me motorë magnetikë. Ky mjet transporti që kap 150 kilometra në orë mund të pëshkojë 180 kilometra me një ngarkesë të baterisë së motorrit të tij elektrik, pothuajse pa zhurmë.
Motorçikleta ultra moderne EV-X7 ka një motorr të shkëlqyer magnetik, që është i instaluar brenda rotës së pasme të saj. Korporata Axle në Tokjo thotë se bateria e mjeteve ekektrike të transportit të së ardhmes mund të ngarkohet në shtëpi, një lloj si telefonët celularë, por për 6 orë.
Me mbështetjen e kursistit profesionist, Daisuke Ito, i cili provoi në rrugë modelin e motorçikletës, EV-X7 miqësore për mjedisin është në prak të prodhimit në seri.
Trafiku ajror është sa i zhurmshëm aq edhe ndotës. Rreth 6.3% e çlirimit të përgjithëshëm të gazit karbonik në Britaninë e Medhe vjen nga trafiku ajror.
Kohët e fundit në Londër u publikuan planet për një avion të ri “jo të zhurmshëm”, me një strukturë të re që do t’i shpëtonte shumë njerëz nëpër botë nga zhurmat e fluturimit të avionëve mbi hapësirën e vendbanimeve të tyre, avion që do të ishte më pak i dëmshëm edhe për mjedisin.
Projekti i ri e ka motorrin të instaluar mbi avion, duke i mbrojtur kështu nga zhurma njerëzit në tokë. Krahët e avionit ofrojnë një formë mes atyre të avionëve të zakonshëm të udhëtarëve dhe atyre me strukturë trapezoidale që kriijon korrente më pak të forta ajri.
Projekti i ri elegant, krijon një rezistencë më të vogël ajri që pritet të ulë edhe djegijen e karburantit rreth 35 përqind, duke e bërë atë avionin e pasagjerëve më ekonomik dhe më miqësor për mjedisin që është ndërtuar ndonjëherë më parë. //iç//