Lidhje

Vihet në funksion Forca e Sigurisë së Kosovës


Autoritetet e NATO-s në Kosovë thanë sot se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur Kapacitetin Operativ Fillestar, me çka shënohet fillimi i funksionimit të saj.

Komandanti i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali Markus Bentler i dorëzoi dokumentin e vlerësimit të strukturave komanduese të NATO-s presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu i cili e vlerësoi këtë si një lajm të madh për Kosovën.

Vlerësimi ka pasuar një stërvitje me emrin e koduar “Luani i Shkathët”, gjatë të cilës janë vënë në sprovë mundësitë aktuale operative të Forcës së Sigurisë për përballjen me çështjet thelbësore të mbrojtjes civile siç janë mënjanimi i mjeteve shpërthyese, zjarr fikje, operimi me materie të rrezikshme edhe kërkim-shpëtimi.

Në një njoftim të forcave paqeruajtëse thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë jo-ushtarake, shumetnike e sigurisë me armatim të lehtë dhe nën kontroll demokratik dhe civil. Misioni i saj është ushtrimi i veprimtarive të mbrojtjes civile në Kosovë, të ndihmojë autoritetet civile në kundërpërgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave tjera.

Forca e Sigurisë së Kosovës e cila nga shqiptarët përjetohet si bërthamë e ushtrisë së ardhshme të vendit, është krijuar në pajtim me planin e krye negociatorit ndërkombëtarë Martti Ahtisaari, në bazë të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ajo do të ketë 2 mijë e 500 pjesëtarë të armatosur lehtë, ndërsa ngritja e saj bëhte nën mbikëqyrje të plotë të forcave të NATO-s.

XS
SM
MD
LG