Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nënshkruan protokollin e diskutueshëm të bashkëpunimit policor. Zyrtarë të EULEX-it thanë se nënshkrimi është bërë në nivelin teknik nga shefi i përbërjes policore të EULEX-it, Rainer Kuehn.
Nënshkrimi pasoi një periudhë të gjatë debatesh të ashpra që pasuan refuzimin e udhëheqësve të Kosovës për të mbështetur këtë protokoll. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi nëpërmjet një deklarate të përbashkët të lëshuar pak pas njoftimit për nënshkrimin e protokollit, thanë se
"Republika e Kosovës nuk është palë në arranzhimet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë".
Në
deklaratë thuhet se ftesa e Republikës së Kosovës për vendosjen e
EULEX-it në Kosovë, për të ndihmuar institucionet e Republikës së
Kosovës në fushat e rendit dhe ligjit është akt sovran i udhëheqjes së
Republikës së pavarur të Kosovës.
"Edhe me këtë rast ritheksojmë përkushtimin e palëkundur të institucioneve dhe popullit të Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me praninë evropiane në vend dhe me institucionet e Bashkimit Evropian në drejtim të konsolidimt të mëtejmë të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, e ne veçanti për të forcuar perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës".
Të dy udhëheqësit theksuan në deklaratë se kjo në asnjë mënyrë nuk do të zbehë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe në këtë kuadër të gjitha format e krimit tej kufitar.
"Theksojmë po ashtu se aranzhime të tilla nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës", - thuhet në deklaratën e përbashkët të presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi.
Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë thanë se protokolli është më rëndësi thelbësore për luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa i siguruan udhëheqësit në Prishtinë se ai nuk e dëmton sovranitetin e vendit.
Kundër këtij protokolli janë paralajmëruar edhe protesta të lëvizjes Vetëvendosje dhe një grupi të organizatave joqeveritare.//lk