Lidhje

Bashkimi Evropian mbështet protokollin EULEX – Beograd


Bashkimi Evropian i dha të martën mbështetje të plotë misionit të tij për policinë dhe drejtësinë në Kosovë për protokollin e paralajmëruar për bashkëpunim policor me Beogradin.

Ky njoftim i bë i ditur sot pas takimit të Komitetit për politikë të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian i cili ka shqyrtuar gjendjen e krijuar në Kosovë pas refuzimit të institucioneve të Kosovës për të mbështetur protokollin e EULEX-it me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Anëtarët e komitetit kanë dëgjuar një raport të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë Pieter Faith. Zëdhënësja e EULEX-it Karin Limdal tha sot se priten diskutime të reja me institucionet e Kosovës në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për këtë çështje.

“Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë mbështetur plotësisht punën e pranisë së këtij Bashkimi në terren në Kosovë përfshirë edhe aranzhimet teknike me Beogradin. Shtetet anëtare thanë se është thelbësore që të arrihet një gjë e tillë me qëllim të luftimit të krimit të organizuar që është në të mirë të të gjithëve në Kosovë dhe këshillimet mbi këtë çështje do të vazhdojnë me të gjithë partnerët, ndërsa qeveria e Kosovës është partneri më i rëndësishëm”,
tha zëdhënësja Limdal.

Beogradi është shprehur i gatshëm të nënshkruaj protokollin, i cili është kundërshtuar ashpër deri tash nga institucionet e Kosovës, të cilat madje e kanë shpallur të mbyllur çdo debat rreth tij.

Të martën e kaluar, rreth 30 makina të EULEX-it u dëmtuan gjatë një proteste të lëvizjes Vetëvendosje, rreth 20 anëtar të të cilës janë dërguar në paraburgim 30 ditësh.

Zëdhënësja e EULEX-it tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë dënuar sot qartazi dëmtimin e makinave të EULEX-it, ndërsa shfaqi shpresën se incidentet e tilla nuk do të përsëriten.

“EULEX-i beson se këto janë incidente të izoluara”, tha zëdhënësja Limdal, sipas së cilës Bashkimi Evropian ka shfaqur shqetësimin e tij edhe për zhvillimet e fundit në veriun e Mitrovicës.

Analistë vendas e të huaj kanë tërhequr vërejtjen se përplasjet rreth protokollit mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të vendit dhe pranisë civile ndërkombëtare.

Por autoritetet në Prishtinë e mohojnë një gjë të tillë duke tërhequr vëmendjen në siç thuhet, faktin se EULEX-i është ftuar nga institucionet e Kosovës të cilat synojnë integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. //ii

XS
SM
MD
LG