Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha sot në Prishtinë se Kosova mbetet një përparësi e lartë e Aleancës dhe këtë e tregon fakti se ajo është vendi i dytë që ai po viziton që nga ardhja në këtë post në fillim të muajit.
Ai i bëri komentet gjatë takimeve që pati sot me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.
Zoti Rasmussen tha se çdo shkurtim i trupave të NATO-s në Kosovë do të pasqyrojë gjendjen e sigurisë në terren. Ai tha se nuk do të ketë vendim për shkurtime në se kjo do të ndikonte negativisht në sigurinë e vendit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Aleanca është e interesuar të ofrojë një perspektivë euroatlantike për të gjitha vendet e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë.
Por, theksoi zoti Rasmussen, të gjitha vendet që aplikojnë për anëtarësim në NATO ose në Bashkimin Europian duhet të plotësojnë dy kushte: zgjidhjen paqësore të problemeve kufitare dhe respektimin e të drejtave të pakicave. //ii