Aktivistja për të drejtën e qytetarëve për kujdes shëndetësor, Heather Grzelka, e ka provuar vetë se ç’do të thotë të vuash pasojat e ajrit të ndotur. Bashkë me dhjetëra të tjerë, ajo dha dëshminë e saj në një seancë 9-orëshe të organizuar nga Agjencia Federale për Mbrojtjen e Mjedisit, me synimin për të reformuar standartet kombëtare të cilësisë së ajrit.
Gjatë pjesës më të madhe të 2 vjetëve të fundit, 11-vjeçarja Katerin Grzelka ka qenë me kollë.
“Kam përdorur pompa për frymarrje, kam pirë ilaçe për alergji, e plot gjëra të tjera të bezdisshme.”
E ëma e Katerinës, Heather, thotë se e bija ishte krejt mirë me shëndet para se të lëviznin nga një qytet i vogël në Teksas në periferi të Uashingtonit në vitin 2007. Por gjatë 2 vjetëve të fundit, shpjegon ajo, kanë shkuar me dhjetëra herë tek mjeku për të zbuluar arsyen e kollit të vazhdueshëm të Katerinës.
“Marrim diagnoza të ndryshme: azëm, alergji e rëndë, apo thjesht kollë fyti.”
Heather u detyrua të hiqte dorë për momentin nga diagnostikimi dhe tani mendon se aryseja e kollës është ajri i ndotur i Uashintonit.
“Shtëpia jonë është në mes të dy autostradave të ngarkuara, po ashtu edhe shkolla e Katerinës. Vajzës kurrë nuk i pushojnë mushkëritë nga ky ajër i ndotur.”
Heather Grzelka punon për Shoqatën Amerikane të Mushkërive dhe për vite me radhë ka qenë aktiviste në emër të atyre që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Tani ajo ndodhet në rolin e viktimës. Jo vetëm që dëgjon gjithë kohën kollën e vajzës, por edhe vetë ka pasur një numër problemesh me rrugët e frymarrjes, që janë keqësuar nga ajri i ndotur, thotë ajo.
Ditët e fundit ajo dëshmoi para zyrtarëve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Uashington, së bashku me të tjerë që thonë se vuajnë nga ajri i ndotur. Agjencia federale kishte ftuar komente të publikut për propozimin e saj që të forcohen standartet për nivelin e dioksidit të azotit në ajër. Ky element kimik formohet nga gazet që çlirojnë makinat apo fabrikat dhe kontribuon në formimin e ozonit si dhe mendohet se acaron problemet e frymarrjes, veçanërisht astmën.
“Kemi zbuluar që pas analizës së fundit në vitin 1996 se ka pasur një numër studimesh epidemiologjike që po ngrenë shqetësime për shëndetin e fëmijëve, të moshuarve, astmatikëve dhe grupeve me probleme shëndetësore. Pra kemi prova të forta shkencore që kërkojnë masa konkrete nga ne.”
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 23 milionë amerikanë vuajnë nga astma, me rezultat një kosto të lartë ekonomike.
Në bazë të Aktit për Ajri e Pastër, Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit i kërkohet të rishikojë standartet për cilësinë e ajrit. Propozimi aktual mund të caktojë për herë të parë nivele shumë të rrepta për dioksidin e azotit për të ulur ekspozimin ndaj këtij elementi.
Por Howard Feldman i Institutit Amerikan të Naftës, një grup lobist për industrinë e naftës, thotë se propozimi i ri i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit është i panevojshëm pasi vetë të dhënat e agjencisë tregojnë rënie të ndjeshme të këtij elementi kimik. Ai thotë se vetë industria ka marrë masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
“Nafta është më e pastër, kamionët djegin më mirë dhe po bëhen përpjekje edhe në uzina e fabrika. Të gjitha këto masa do të vazhdojnë edhe për dekada të tjera.”
Një tjetër seancë me dëshmi është planifikuar të zhvillohet në Los Anxhelos, ku ndotja e ajrit është problem madhor. Kalifornia ka ndër standartet më të forta të niveleve për dioksidin e azotit në vend dhe shumë veta në seancën e fundit propozuan që standartet kombëtare të bazohen në ato të Kalifornisë. Ekspertë të shëndetit kanë botuar studime ku arrijnë në përfundimin se ekspozimi ndaj dioksidit të azotit dëmton rritjen e mushkërive tek fëmijët.
“Në këtë seancë ka rëndësi kritike që t’i kushtohet vëmendje familjes sime, mua si dhe të gjithë pjesëtarëve të komunitetit që janë të shqetësuar për fëmijët e tyre dhe duan të shohin përmirësime në cilësinë e ajrit në këtë zonë dhe në gjithë vendin.”
Zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit thanë se do t’i regjistrojnë komentet e publikut gjatë një periudhe 60 ditëshe dhe do të marrin një vendim përfundimtar në janar 2010. //bsa//