Autoritetet në Kosovë besojnë se po krijohen kushte të mira për kthimin e qytetarëve serbë dhe pakicave tjera të shpërngulura nga Kosova prej vitit 1999. Ata ndërkaq bëjnë thirrje që kjo çështje të mos pengohet nga dallimet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiç, thotë se institucionet e Kosovës janë shumë të përkushtuara për kthimin dhe integrimin e gjithë të zhvendosurve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare.
“Gjithsesi është numër i madh i të zhvendosurve të cilët jetojnë qoftë në territorin e Kosovës, por edhe jashtë saj. Padyshim, se askush nuk është i kënaqur me numrin e të kthyerve. Ministria për kthim dhe komunitete, e përkrahur edhe nga qeveria e Kosovës, bën përpjekje që të krijojnë kushte sa më të mira për kthimin e të zhvendosurve. Së fundmi, ministria ka modifikuar procedurat të cilat shpresoj se do ta përshpejtojnë dhe lehtësojnë procesin e kthimit dhe në këtë mënyrë besoj se do të kemi cilësi më të madhe në procesin e kthimin”.
Sipas Ministrit Rashiç, ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e përgjithshëm të të zhvendosurve apo edhe të të kthyerve, sepse siç thotë ai, ky numër ndryshon dita ditës.
Hulumtime të herëpashershme, ndërkaq venë në pah se frika për sigurinë dhe brengosja për mundësitë e mbijetesës janë faktorë, të cilët po e pengojnë kthimin. Por ministri Rashiç thotë se riintegrimi i të kthyerve në shoqëri paraqet njërën ndër pengesat më të mëdha në procesin e kthimit.
“Siguria më nuk është problemi më i madh në procesin e kthimit. Probleme më të mëdha janë ato ekonomike dhe sociale. Një problem tjetër i madh i identifikuar në këtë proces është edhe ri-integrimi i të kthyerve në shoqëri. Ministria ka hartuar një strategji për zgjidhjen e këtij problemi dhe e cila, përveç krijimit të kushteve më të mira për jetë, parasheh edhe ri-integrimin e të kthyerve në shoqërinë në Kosovë. Ne kemi pasur raste që persona të kthyer në vendet e tyre nuk kanë mundur të integrohen në shoqëri dhe janë larguar sërish. Nuk duam që kjo të ndodhë sërish, duam një kthim të qëndrueshëm”, - thotë ai.
Ministri Sasha Rashiç thotë se institucionet e Kosovës janë shumë të përkushtuara për kthimin e të gjithë të zhvendosurve e posaçërisht qytetarëve serbë, të cilët janë larguar nga Kosova pas vitit 1999. Por dallimet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, thotë ai, po e pengojnë edhe kthimin e të zhvendosurve.
“Gjithësesi, edhe procesi i kthimit është i politizuar. Ky mendoj se është një gabim, meqë është një problem humanitar e jo politik. Sigurisht, se ekziston vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet dhe çdo qasje pozitive qoftë në Prishtinë, apo në Beograd, mund të ketë ndikim pozitiv edhe në cilësinë e kthimit”, - thotë ministri Rashiç.
Një nga detyrat parësore të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare për Kosovën e pavarur është edhe kthimi i të zhvendosurve, para së gjithash i serbëve. Përkundër kësaj, shkalla e tanishme e kthimit nuk konsiderohet e kënaqshme.
Ndonëse nuk ka shifra të sakta, thuhet se mbi 18 mijë të zhvendosur nga lufta e vitit 1999, janë kthyer deri tani në Kosovë. Udhëheqësit e institucioneve, ndërkaq shprehen të vendosur që të mënjanojnë çdo pengesë që mund të shfaqet në procesin e kthimit të personave të zhvendosur.//lk