Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se Koresë së Veriut “nuk i kanë mbetur më miq” që ta mbrojnë nga ndëshkimet ndërkombëtare për aktivitetin e saj bërthamor.
Sekretarja Klinton tha sot në forumin më të madh të vendeve aziatike në Tajlandë, se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar në përpjekjet për ta detyruar Korenë e Veriut t’i çaktivizojë objektet bërthamore.
Zonja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut, janë gati të ofrojnë një paketë me stimuj ekonomikë dhe diplomatikë, në se Peniani do të ishte i përkushtuar ndaj një “rruge të pakthyeshme” drejt çarmatosjes bërthamore.
Por zëdhënësi koreanoverior, Ri Hung Sik, i hodhi poshtë stimujt si të pakuptimtë dhe deklaroi se bisedimet 6-palëshe për çarmatimin janë tashmë diçka e vdekur.
Ai po ashtu fajësoi Washingtonin për atë që ai e cilësoi “politikë armiqësore” kundër Penianit.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut e sulmoi sot personalisht zonjën Klinton, duke e përshkruar atë si një grua jo-inteligjente dhe komike. (ze)