Policia e Kosovës thotë se ish anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar jashtë selisë së qeverisë në Prishtinë për kushtet e tyre të vështira të jetesës.
Të paktën 20 anëtarë të UÇK-së hodhën sot mjete shpërthyese në drejtim të godinës, duke shkaktuar dëme materiale, për të shprehur pakënaqësinë e tyre për trajtimin që institucionet po u bëjnë veteranëve të luftës.
Sipas Policisë së Kosovës, në oborrin e selisë së qeverisë janë gjetur edhe dy mjete të tjera të dyshuara, lloji i të cilave do të përcaktohet nga njësitë e KFOR-it. Protestuesit kanë kërkuar nga institucionet përmirësimin e kushteve të jetës, ndërsa kanë paralajmëruar vazhdimin e protestës nëse institucionet nuk i plotësojnë kërkesat e tyre.
Ndërkohë, qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj veprimit të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes një njoftimi, qeveria e ka dënuar sulmin në drejtim të saj.
"Sulmi i sotëm me bomba ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, nga ana e individëve të caktuar me motive politike dhe anti-shtetërore, është i dënueshëm dhe do ta marrë ndëshkimin e merituar ligjor dhe qytetar", thuhet në njoftimin e qeverisë.
Edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur shqetësimin e tij për ngjarjen e sotme në oborrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar nga zyra e presidentit thuhet se presidenti mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar në përputhje me ligjin, por kundërshton fuqishëm çdo akt të dhunshëm, i cili rrezikon jetën e qytetarëve, pronën dhe institucionet e Republikës së Kosovës. //iç//