Dhjetra mijëra myslimanë të Bosnjes u lutën për të afërmit e tyre në Srebrenicë sot në përvjetorin e 14 të masakrës më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Të afërmit e viktimave ecën përgjatë rreshtave me arkivolët e 534 viktimave të tjera të indentifikuara që do të varrosen pranë më shumë se 3200 viktimave tashmë në qendër të memorialit Srebrenica-Potoçari.
Më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë, disa në moshën 14 vjeçare u vranë në vitin 1995. Masakra ndodhi pasi Kombet e Bashkuara e shpallën Srebrenicën zonë të mbrojtur. Boshnjakët vërshuan aty për të gjetur mbrojtje.
Por në korrik të vitit 1995, trupat serbe hynë në enklavë, rrethuan dhe filluan të ekzekutojnë burrat dhe djemtë myslimanë. Paqeruajtësit e OKB-së nuk bënë asgjë për mbrojtjen e tyre.