Lidhje

Presidenti Obama në Ganë, gati për fjalimin drejtuar Afrikës


Presidenti Barak Obama ndodhet në Ganë, vizita e tij e parë në Afrikën nënsahariane si president. Zoti Obama tha se kishte zgjedhur Ganën si destinacionin e tij të parë në rajon për shkak të sistemit të saj të fortë demokratik.

Njerëz që kërcenin dhe u binin daulleve i shprehën mirseardhjen Presidentit Obama dhe familjes së tij në aeroportin ndërkombëtar të Akrës ku ata u pritën nga Presidenti John Atta Mills.

Pas një takimi të shkurtër mbrëmë, dy presidentët do të kenë sot një mëngjes pune ku do të marrin pjesë edhe ish udhëheqësit ganezë John Kufuor dhe Jerry Rawlings. Presidenti Mills u zgjodh në fillim të këtij viti pas një procesi të vëzhguar nga shumë afër në të cilin partia e Presidentit Kufuor e dorëzoi pushtetin në mënyrë paqësore.

Këto ishin votimet e pesta radhazi civile të Ganës që nga viti 1992 – një proces demokratik ky për të cilin Presidenti Obama thotë se ishte një ndër arsyet që e shtyu ta bëjë Ganën ndalesën e tij të parë në Afrikën nënsahariane.

Zoti Obama thotë se dëshiron të verë në dukje arritjet e vendeve të qendrueshme që qeverisen mirë dhe ku udhëheqja është e përgjegjshme ndaj popullit ndërsa institucionet janë më të forta se një individ i veçantë.

Kryeqyteti i Ganës është zbukuruar me flamuj amerikanë dhe ganezë. Pankartat me fotografitë e dy udhëheqësve si dhe të Presidentit Obama e të zonjës së parë Mishel Obama shihen kudo në rrugën nga aeroporti deri në qytet. Më shumë se 10,000 policë janë mobilizuar për të ruajtur rendin gjatë vizitës dyditëshe.

Njerëzit prisnin me padurim ta ndiqnin fjalimin e zotit Obama në Sheshin e Pavarësisë por fillimi i stinës së shirave ka bërë që planet të ndryshohen dhe fjalimi të mbahet në një qendër konferencash.

Presidenti pritet që me komentet e tij të shpalosë politikën e administratës për Afrikën, duke përfshirë thirrjet e vazhdueshme për qeverisje të mirë dhe për sundimin e ligjit.

Nëse do ta lejojnë kushtet e motit, Presidenti Obama dhe familja e tij do të vizitojnë Kështjellën e Kepit Bregdetar, vendi nga ku për 300 vjet me radhë, mijra skllevër u dërguan drejt Amerikës përmes Oqeanit Atlantik. //ii

XS
SM
MD
LG