Lidhje

Turi i Uimbeldonit, traditë dhe prestigj


Wimbeldoni njihet në botë si skena më e famshme e tureve të tenisit. Gjatë dy javëve të ardhshme, tifozët e tenisit mund ndjekin dramën që shoqëron këtë aktivitet të madh sportiv: garat e forta, rezultatet e papritura, dramacitetin që rritet me çdo ditë të konkurimit. Ky është turi më i vjetër dhe më prestigjoz në botë, dhe i vetmi që vazhdon të zhvillohet mbi fusha me bar, i shoqëruar me rite dhe praktika tradicionale. Korrespondenti Tom Rivers njofton nga qyteza e vogël e Wimbeldonit që do të jetë së shpejti në qendër të vëmendjes së sportdashësve:

Wimbeldoni është gara më e fortë, konkurimi më i ashpër për të marrë edhe kupën më të lakmuar të tenisit. Ky fakt nuk ka ndryshuar që nga fillimi i traditës së Wilmbeldonit në vitin 1877. Konkurentët e sivjetshëm e kanë të qartë sa me peshë është ky turne dhe po përgatiten si psikologjikisht ashtu edhe fizikisht për të përballuar peshën e tij.

Që nga ditët e Fred Perit, tenistit të madh që fitoi Titullin e Kampionit në vitin 1936, titulli i fundit që ka siguruar Britania në këtë kampionat në tokë të saj, tek ndeshjet e viteve ’50 kur Althea Gibson hyri në histori si e para afrikano-amerikane që luante në fushën kryesore dhe fitonte në atë fushë, e deri tek ditët tona, gjithmonë Wimbeldoni ka qenë i veçantë. Kjo pjesërisht si rezultat i traditës së këtij turneu. Honor Godfrey punon në Muzeun e Tenisit në Wimbeldon, ku ruhen relike mbi evolimin e këtij sporti:

“Ka shumë arsye që e bëjnë emrin Wimbeldon kaq të madh dhe ndoshta një nga më të rëndësishmet është fakti që ky sport luhet në fusha me bar. Shumë nga lojtarët shprehen se e pëlqejnë atmosferën e këtushme, me fushat e gjelbra. Po ashtu, konkurentët duhet të vishen thuajse krejtësisht në të bardhë. Kjo është një tjetër traditë e rëndësishme e Wimbeldonit. Lojtarët profesionistë të tenisit, që nga shekulli i 19 janë veshur me të bardha dhe kjo traditë ruhet ende”.

Por sa herë që përmendet emri i Wimbeldonit të vijnë në mendje ditët e zymta me re të errëta që kërcënojnë për rreshje.

“Moti në Wimbeldon është shumë i paparashikueshëm, mund të duket si ditë me diell në mëngjes, por pas pak orësh fillojnë shira për pak kohë, por gjithsesi ndërpresin konkurimin. Por edhe ky fakt është pjesë e përjetimit të Wimbeldonit dhe spektatorët e vizitorët këtu janë të përgatitur për këtë mot”.

Me gjithë traditat shekullore, një tjetër traditë e Wimbeldonit ka qenë aftësia për të ndryshuar e për t’iu përshtatur kohërave. Tani mbi fushën qendrore është vendosur një mbulesë në formën e një çatie të lëvizshme.

Ian Ritchie është Shefi Ekzekutiv i Klubit të Tenisit Anglez mbi Bar. Ai thotë se mbulesa është një plus i madh sidomos kur fillojnë shirat:

“Kjo u realizua pas planifikimesh dhe analizash intensive. Pra kemi instaluar një shtesë të re, që ofron një garanci për ata njerëz që e kanë pasur ëndërr gjithë jetën të shikonin një ndeshje në fushën qendrore dhe kjo u garanton zhvillimin e ndeshjes edhe në kohë me shi.”

Siç shpjegon zoti Ritchie, organizatorët e këtij turi gjithmonë tregohen të vëmendshëm ndaj traditave që e kanë bërë Wimbeltonin të famshëm në të gjithë botën, si loja në fusha me bar, rrobat e bardha, ndalimi i vendosjes së reklamave, të cilat janë bazë e këtij konkurimi dhe nuk pritet të ndryshojnë. Por njëkohësisht, ky aktivitet ka një domethënie të madhe simbolike për sportin e tenisit dhe si i tillë duhet të vazhdojë të ecë me kohën.

Një gjë që nuk do të ndryshojë kurrë është ndjenja e papërshkrueshme e fitores së Kupës së Wimbeldonit. Kjo ndjenjë mbetet në 2009-n, e njëjtë me atë që ka ndjerë kampioni i parë i turit në vitin 1877. //bsa//

XS
SM
MD
LG