Lidhje

Irani: rezultatet e zgjedhjeve, të vlefshme


Zyrtarët iranianë e shpallën përsëri presidentin e vendit, Mahmud Ahmadinexhad fitues të zgjedhjeve të kontestueshme presidenciale. Grupi i fuqishëm që mbikqyr zgjedhjet, Këshilli i Lartë i Klerikëve, kreu rinumërimin e 10 përqind të votave në shkallë kombëtare. Sipas mediave iraniane, këshilli tha se rinumërimi konfirmon rezultatin e zgjedhjeve të 12 qershorit.

Po sot, Këshilli tha se anëtarët e tij u takuan me kandidatin e opozitës, Mir Hosein Musavi. Media shtetërore e Iranit njoftoi se një zëdhënës i Këshillit e përshkroi takimin jo të efektshëm. Zoti Musavi e ka kundërshtuar numërimin e pjesëshëm dhe ka këmbëngulur që rezultatet të anullohen.

Nga lajme të tjera, Irani thotë se ka liruar pesë punonjës iranianë të Ambasadës Britanike në Teheran, disa ditë pasi ata u ndaluan nën akuzat se kishin lidhje me trazirat paszgjedhore. Kryeministri britanik, Gordon Braun, e dënoi sot ndalimin e punonjësve iranianë, duke thënë se ky ishte një akt i papranueshëm, i pajustifikuar dhe pa baza.

XS
SM
MD
LG