Lidhje

Iran: Lirohen punonjësit e ndaluar të ambasadës britanike


Mediat iraniane thanë se autoritetet liruan dje, vetëm një ditë pas arrestimit, 8 nga punonjësit e ambasadës britanike në Teheran. Ata ishin ndaluar nën akuza në lidhje me trazirat paszgjedhore në Iran.

Një raport i publikuar dje citon ministrin iranian të zbulimit i cili thotë se ka prova që tregojnë se disa nga punonjësit iranianë të ambasadës kanë mbledhur informata mbi protestat.

Akoma nuk është e qartë se sa nga punonjësit e ambasadës janë ende të ndaluar.

Sekretari i Jashtëm britanik David Miliband, si edhe Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë punonjësve të ambasadës, duke e quajtur ndalimin e tyre një formë e papranueshme ngacmimi dhe frikësimi.

Ndërkohë, njoftime të pakonfirmuara nga dëshmitarë të ndryshëm thonë se policia Iraniane eshtë përleshur me mijra protestues pranë xhamisë Ghoba në Teheran, me rastin e një shpërthimi të vitit 1981 që shkaktoi vdekjen e një kleriku të njohur.

Mediat iraniane njoftuan po dje se ish Presidenti Hashemi Rafsanxhani, i bëri thirrje qeverisë të shqyrtojë në mënyrë të hollësishme ankesat e bëra nga kandidati i mundur, në lidhje me zgjedhjet e debatuara të 12 qershorit.

XS
SM
MD
LG