Lidhje

Uidhers: Të gjithë shqiptarët të dalin për të votuar


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Xhon Uidhers tha se nëse zgjedhjet nuk i plotësojnë standardet e një vote të drejtë dhe të lirë, kjo mund të dëmtojë përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Zoti Uidhers u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të dalin për të votuar në zgjedhjet parlamentare të së dielës duke u thënë atyre se nuk duhet të kenë frikë.

Ai theksoi se praktika të tilla jodemokratike si frikësim i votuesve, blerja e votave apo manipulimi i kutive të votimit i përkasin së kaluarës.

Zoti Uidhers prezantoi dje sistemin e financuar nga Shtetet e Bashkuara për numërimin paralel të votave, ku dy grupe të pavarur shqiptarësh do të numërojnë votat krahas zyrtarëve dhe do të raportojnë rezultatin.

Ambasadori tha se numërimi paralel synon të forcojë besimin e publikut te rezultati i zgjedhjeve.

Thirrje për pjesmarrje në zgjedhje bëri edhe kreu i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosh.

Ata i bënë këto komente në një takim me vëzhguesit shqiptarë, ku theksuan se zgjedhjet pa standarte dëmtojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Shqipëria u anëtarësua në NATO në muajin prill dhe shpreson se suksesi në zgjedhjet parlamentare do t’i rriste mundësitë e saj për të hyrë në Bashkimin Europian.

Por javën e kaluar, politikani i Partisë Demokristiane të opozitës, Aleksandër Keka u vra nga një shpërthim, të cilin partia e tij e quajti terrorizëm me motive politike.


XS
SM
MD
LG