Një ish-zëdhënëse e Gjykatës së Hagës për Krime Lufte, ndodhet në Hagë, nën akuzat për publikimin e informacioneve sekrete. Florence Hartman akuzohet se ka publikuar fakte sekrete nga gjyqet në një libër të botuar në vitin 2007 dhe në një artikull që ajo ka shkruar lidhur me punën e brendshme të Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë.
Prokurorët thonë se Hartman i ka bërë qëllimisht të njohura hollësitë e gjyqit ndaj ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq gjatë kohës që zhvillohej procesi, në vitin 2006. Avokati i zonjës Hartman tha se klientja e tij nuk ka bërë asgjë të gabuar, sepse informacioni që ajo ka publikuar është bërë i njohur nga gazetarë të tjerë, madje edhe gjykatës.
Rreth 20 vetë ishin
mbledhur jashtë ndërtesës së Gjyaktës së Hagës, duke protestuar për gjyqin. Ata
i bënë thirrje gjykatës të dënojë kriminelët dhe jo gazetarët dhe paraqitën një
peticion me 3 mijë e 502 firma, ku u bëhej thirrje gjykatësve ta shpallin të
pafajshme ish-zëdhënësen e Hagës, Hartman.