Lidhje

Shqipëri: Partia Demokratike hap zyrtarisht fushatën


Partia Demokratike nisi zyrtarisht mbrëmjen e kaluar fushatën e saj për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Me një tubim festiv në sheshin Skënderbej, Partia Demokratike paraqiti përpara mijëra pjesëmarrësve kandidatët e saj për deputetë në kryeqytet dhe në gjithë vendin.

Programi u reduktua për shkak të motit të keq, ndërsa kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha premtoi shtimin e 160 mijë vendeve të reja të punës gjatë mandatit të dytë. Ai bëri thirrje që Tirana të përsëritë fitoren e 22 marsit 1992, kur u shemb regjimi komunist dhe erdhi demokracia.

“Sot ne nisim startin e madh për fitoren e dytë, fitoren e cila do të ketë simotër 22 marsin e vitit 1992, fitore e cila do të ketë për mission, ëndrrën e madhe evropiane të tiranasve, të mbarë shqiptarëve”.

Kryeministri Berisha tha që nëse merr një mandat të dytë qeveria e djathtë do të shtojë kujdesin për arsimin, shëndetësinë, do të sigurojë furnizim të pandërprerë me ujë, dhe do të mbrojë të varfërit. Ai tha se Tirana do të bëhet një kryeqytet europian dhe me projektet europaine të të djathtës.

“Katër vitet që vijnë, janë vitet e projektit tonë të madh, projektit të cilin, qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës, njëlloj si ata të vendeve evropiane do të kenë rrugët, autostradat, transportin e standardeve më të mira. Tirana evropiane dhe Shqipëria evropiane do të jenë Tirana e qytetarit dhe Shqipëria e qytetarit me 24 orë ujë në mbarë vendin, me shkollat më të mira, me shërbimin shëndetësor donjitoz për një qytetar evropian”.

Tashmë gjithë partitë dhe koalicionet që konkurrojnë në zgjedhjet e 28 qershorit e kanë bërë një hapje zyrtare të fushatës, por praktikisht fushata dhe veprimtaritë fushateske kanë nisur që nga viti i ri. Një mori tubimesh të vogla dhe të mëdha kanë mobilizuar një numër të madh veprimtarësh të partive si nga pozita ashtu edhe nga opozita, po ashtu edhe fonde të mëdha shpenzimesh për flamuj dhe tribuna. //kk//

XS
SM
MD
LG