Lidhje

Presidenti Obama nis sot turneun në Lindjen e Mesme dhe Evropë


Presidenti amerikan Barak Obama niset nga Uashingtoni për një udhëtim pesë ditor në Lindjen e Mesme dhe Evropë, gjatë të cilit do të mbajë një fjalim për botën myslimane, do të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 65 vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi, në Luftën e Dytë Botërore si dhe do të takohet me aleatët kryesorë në Arabinë Saudite, Gjermani dhe Francë.

Presidenti Obama niset sonte së pari drejt Rijadit të Arabisë Saudite, ku nesër takohet me Mbretin Abdullah. Të enjten ai shkon në Kairo, ku do të mbajë një fjalim të shumëpritur për botën myslimane në Universitetin e Kairos.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Obama do të theksojë angazhimin e tij personal për përmirësimin e marrëdhënieve të Amerikës me myslimanët në gjithë globin.

Në një intervistë transmetuar dje nga BBC-ja, zoti Obama tha se ai do t’i rikonfirmojë botës se Shtetet e Bashkuara do t’u qëndrojnë vlerave të tyre të rëndësishme edhe kur është e vështirë, jo vetëm kur është e lehtë.

Presidenti amerikan do të largohet nga Egjipti në drejtim të Gjermanisë ku do të vizitojë kampin e përqendrimit Bushenvald.

Dhe më pas ai do të shkojë në Francë ku do të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 65 vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi, në Luftën e Dytë Botërore. (ze)

XS
SM
MD
LG