Lidhje

Barnat statin edhe kundër goditjeve në tru. Vlerat e vaksinimit


Barnat statin kundër goditjeve në tru

Grupi i barnave Statin për uljen e kolesterinës mund të ndihmojë për uljen e rrezikut të goditjeve në tru. Gjatë një studimi, botuar në numrin e fundit të revistës mjekësore Lancet Neurologji, shkencëtarët analizuan provat klinike tek pacientët që ishin trajtuar me barna Statin dhe vunë re se rreziku ndaj një goditjeje në tru ishte paksuar 20 përqind.

Goditja në tru, qoftë bllokim arteri ose hemoragji cerebrale, është shkaktari i tretë kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Por pacientët në rrezik për goditje në tru mund të jenë në gjendje ta pakësojnë këtë rrezik duke marrë barna Statin që përdoren për uljen e nivelit të kolesterinës.

Mjekët në Francë analizuan 24 studime a prova klinike dhe zbuluan se ata që merrnin statin ishin 18 përqind më pak në rrezik për të pësuar godije në tru, në krahasim me pacientët që përdorën placebo.

Dhe sa më e madhe rënia e nivelit të kolesterinës deri në nivelin e rekomandueshëm, aq më i madh ishte pakësimi i rrezikut për goditje në tru.

Gjatë studimit, ekspertët nuk vunë re ndonjë shtim të dukshëm në numrin e rasteve të hemoragjive cerebrale mes pacientëve që merrnin statin – shqetësim i ngritur nga një studim i mëparshëm.

Në thelb, të gjithë pacientët me rrezik të lartë duket se përfituan nga trajtimi me statin, thonë autorët e studimit. Shkencëtarët thonë se pacientët me faktorë rreziku siç janë mosha e thyer, mbipesha trupore, dhe pirja e duhanit, duhet të mendojnë të marrin statin nëse kanë nivel të lartë kolesterine.

Statinët janë një grup ilaçesh me emra të ndryshëm, prandaj shtrohet pyetje se cili është statini më i mirë? Mjekët thonë se çdo lloj statini është i mire, përsa kohë që pacienti ndjen efekte positive; dhe statini është i efektshëm nëse ulë kolesterinën e keqe ose LDL në nivelet e rekomanduara.

Vlerat e vaksinimit

Në Shtetet e Bashkuara, gjithnjë e më shumë prindër nuk pranojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër sëmundjeve ngjitëse, por një studim i kohëve të fundit tregon se zonat e banimit ku prindërit kundërshtojnë vaksinimin janë më të pambrojtura nga shpërthimi i sëmundjeve infektive. Në studimin e botuar në revistën mjekësore të Nju Englandit thuhet se suksesi i programeve të imunizimit i ka bërë disa prindër të besojnë se sëmundje të tilla si lija, kolla e mire ose poliomeliti tashmë janë zhdukur prandaj vaksinimi ndaj tyre nuk është i nevojshëm. Por këta prindër e kanë gabim, thuhet në studim.

Në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara kishin rastet më të larta të lisë në më shumë se 10 vjet, dhe thuajse të gjithë të prekurit nga kjo sëmundje ngjitëse bënin pjesë në grupin e njerëzve që nuk ishin vaksinuar.

Zyrtarë të shëndetësisë shqetësohen për shpërthime të ngjashme sëmundjesh të ngjitëse, sepse prindërit gjithnjë e më shumë po shmangin vaksinimin e fëmijëve të tyre. Shkencëtarët pranë universitetit Emory morrën në shqyrtim gjendjen e krijuar dhe arritën në disa përfundime tepër shqetësuese. Për shembull, shumë shtetet po e bëjnë gjithnjë e më të lehtë pranimin në shkollë të fëmijëve të pavaksinuar mbi bazat e besimit personal; që në këtë rast ndodh kur prindi thotë se ai beson që vaksina është e panevojshme, dhe ligji nuk mund ta detyrojë të besojë ndryshe.

Në disa rajone të Shteteve të Bashkuara, 20 përqind e fëmijëve të shkollave i shmangen vaksinimit si pasojë e kundërshtimit të prindërve. Këto zona tani shihen si më të mundshmet a më në rrezik për prekjen nga sëmundjet infektive, të cilat mund të përhapen lehtë mes popullates së pavaksinuar.

Sipas studimit, fëmijët e pavaksinuar ishin 35 herë më në rrezik për t’u prekur nga sëmundja e lijës. Shkencëtarët thonë se prindërit mbivlerësojnë pasojat anësore të vaksinës dhe nënvlerësojnë dëmin e sëmundjeve infektive. Para ekzistencës së vaksinës, në Shtetet e Bashkuara vdisnin nga lija çdo vit 450 vetë dhe 4 mijë të tjerë mbeteshin me pasoja të rënda në tru.

Lexo dhe komento; http://astritlulushi.wordpress.com/

XS
SM
MD
LG