Lidhje

Këshilli i Sigurimit  në përgjigje të provës koreano-veriore


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi njëzëri provën bërthamore të Koresë së Veriut dhe tha se po bën gati një përgjigje të fortë ndaj Phenianit.

Këshilli e quajti provën një shkelje të qartë të rezolutave ekzistuese të Këshillit dhe tha se do të fillojë menjëhere punën për një rezolutë të re. Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina dhe 12 anëtaret e tjera të Këshillit të Sigurimit bënë një takim urgjent dje në mbrëmje, disa orë pasi u mesua për proven e befasishme. Shpërthimi ishte më i madhi që ka kryer ndonjëherë Koreja e Veriut dhe u pasua nga lëshimi prove i tre raketave.

Takimi urgjent i Këshillit prej 15 anëtarësh zgjati më pak se një orë. Pas tij, diplomatët shprehën një qëndrim të njëzëshëm duke thënë se e kundërshtonin dhe e dënonin sfidën e fundit koreano-veriore ndaj së drejtës ndërkombëtare.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Suzan Rajs nuk tha nëse rezoluta e re do të përmbante sanksione por tha se duhet të ishte e fortë nga forma dhe përmbajtja.

“Shtetet e Bashkuara mendojnë se kjo është një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare dhe një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë një rezolutë të fortë me masa të forta”.

Zëvendës Ambasadori francez Zhan-Pier Lakrua tha se vendi i tij beson se sanksionet e reja janë të nevojshme.

“Qëndrimi francez është se kjo rezolutë duhet të ketë sanksione të reja, përveç atyre që janë miratuar më parë nga Këshilli i Sigurimit, sepse kjo sjellje meriton të paguajë një çmim”.

Japonia, që ka qenë ndër vendet kryesore që ka kërkuar masa të forta nga ana e Këshillit ndaj Koresë së Veriut dhe e kërkoi takimin urgjent të së hënës, tha se prova bërthamore e Phenianit ishte një kërcënim serioza ndaj paqes dhe sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare por edhe ndaj autoritetit dhe prestigjit të Këshillit të Sigurimit.

Rusia dhe Kina kanë qenë tradicionalisht aleatët më të forte të Koresë së Veriut në Këshill. Por ambasadori rus Vitali Çurkin që drejton këshillin këtë muaj i kritikoi veprimet e Phenianit duke thënë se ato bien ndesh me rezolutat e OKB-së.

“Rusia është një nga vendet themeluese të dokumentave për kontrollin bërthamor. Kështuqë mendojmë se ato janë shumë të rëndësishme në marrëdhëniet aktuale ndërkombëtare. Kështu çdo gjë që do të minonte regjimet e traktateve është shumë serioze dhe duhet të marrë një reagim të fortë”.

Qeveria kineze nxorri një deklaratë që dënonte provën.

Dje në mëngjes, Koreja e Veriut konfirmoi se kishte kryer një provë bërthamore nëntokësore. Në vitin 2006, ajo bëri një provë të ngjashme pas së cilës Këshilli i Sigurimit nxorri një rezolutë me sanksione.

Në prill, Koreja e Veriut bëri një provë me raketë që Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe vende të tjera thanë se ishte thjesht një maskim për një provë raketash balistike. Edhe Këshilli i Sigurimit e dënoi proven, duke i bërë më të ashpra sanksionet ekzistuese por nuk miratoi një rezolutë të re. //kk//

XS
SM
MD
LG