Lidhje

Fjalimet e Obamës dhe Çenit, pikë kulmore në debatin për sigurinë 


Në Uashington vazhdon debati për sigurinë kombëtare mes administratës aktuale dhe asaj të kaluarës, i cili arriti një pikë të nxehtë me fjalimet e Presidentit Barak Obama dhe ish-nënpresidentit Çeni. Presidenti Obama foli në godinën e Arkivave Kombëtare dhe nënpresidentit Çeni vetëm disa ndërtesa më tej. Fjalimet ishin thuajse të njëkohëshme.

Ato intensifikojnë debatin për mënyrën e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara nga një sulm i mundshëm terrorist.

Presidenti Obama gjendet para sfidës së vështirë, kur i duhet të bindë vendin se është në duar të sigurta, pavarësisht nga sulmet e së djathtës, por njëkohësisht të bindë të majtët se është e mjaftueshme të ndryshojë politikat e paraardhësit të tij, pa i braktisur plotësisht.

Bëhet fjalë për qëndrimin e tij nga njëra anë për mbylljen e Guantanamos, por nga ana tjetër për të vazhduar disa praktika të administratës së kaluar si për shembull gjyqet ushtarake. Presidenti Obama u zotua ta mbajë premtimin për mbylljen e qendrës së ndalimit në Guantanamo deri në fund të vitit.

“Ne nuk do të lirojmë askënd nëse do të rrezikonte sigurinë kombëtare, as nuk do të lëmë të lirë të ndaluar brenda Shteteve të Bashkuara njerëz që rrezikojnë popullin amerikan”.

Presidenti Obama tha se disa nga 240 të dyshuarit për terrorizëm që po mbahen në Guantanamo mund të gjykohen në gjykata civile, të tjerë në gjykata ushtarake.

Disa mund të lirohen, tha ai, ndërsa kategoria më e vështirë do të jenë ata që ende konsiderohen kërcënim, e megjithatë për arsye të ndryshme, nuk mund të ndiqen penalisht.

"Dhe më duhet të jem i sinqertë: kjo është çështja më e vështirë me të cilën do të përballemi”.

Pak më vonë dhe vetëm një kilometër larg vendit ku foli Presidenti, ish-nënpresidenti Dik Çeni i mbrojti me forcë politikat e administratës së Presidentit Bush.

“Pas sulmit më vdekjeprurës dhe shkatërrimtar, shtatë vjet e gjysmë pa pasur një përsëritje të një goditjeje të tillë, nuk është diçka për t’u kritikuar apo hedhur poshtë, aq më pak për t’u penalizuar. Është një rrugë që duhet vazhduar derisa të ketë kaluar rreziku”.

Nënpresidenti Çeni luajti një rol qendror në hartimin e politikave të sigurisë kombëtare në kohën e administratës së ish-Presidentit Bush. Ai i mbrojti me forcë metodat e ashpra të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm, metoda që kritikët i kanë quajtur tortura dhe që janë ndaluar nga Presidenti Obama.

Zoti Çeni nuk shfaqej shpesh në publik kur ishte nënpresident, por javët e fundit ai është shfaqur ndoshta si kritiku më i ashpër i Presidentit Obama.

Fjalimi i djeshëm i tij, ishte kulmi i një periudhe me sulme ndaj administratës së re dhe mbrojtje pa rezerva të politikave të administratës së kaluar.

Vetë republikanët janë të ndarë në qëndrimin e tyre mbi vendimin e zotit Çeni për t’u vendosur në qendër të vëmendjes.

Zoti Obama vazhdon të gëzojë mbështetje të fortë në drejtim të çështjeve të sigurisë kombëtare. Por publiku mbetet i ndarë lidhur me teknikat e ashpra të marrjes në pyetje dhe a mund të jenë të justifikuara ato në rrethana të caktuara.//kk//

XS
SM
MD
LG