Presidenti Barak Obama shpjegoi të enjten politikat e tij të sigurisë kombëtare gjatë një fjalimi në Uashington, ndërkohë që po përballet me kritika si nga republikanët edhe nga demokratët. Fjalimi i zotit Obama vjen një ditë pasi senati amerikan me shumicë demokrate, hodhi poshtë me një votim 90 me 6 kërkesën e administratës për 80 milion dollarë për mbylljen e qendrës së paraburgimit për të dyshuarit terroristë në Gjirin Guantanamo të Kubës.
Gjatë fjalimit të tij, presidenti Obama tha se me mbylljen e Guantanamos ai po përpiqet të zgjidhë problemin që hapja e këtij burgu ka nxjerrë në radhë të parë. Ai tha se burgu i Guantanamos e ka shtuar rrezikun terrorist në vend që t’i garantonte sigurinë popullit amerikan.
Nuk është gjë e re që republikanët ta kundërshtojnë planin e presidentit Obama për mbylljen e burgut të Guantanamos. Presidenti është kritikuar vazhdimisht nga republikanët kryesorë për këtë, meqenëse ata thonë se transferimi i të burgosurve në burgje brenda Shteteve të Bashkuara do të vinte në rrezik jetët e amerikanëve.
Por debati është intensifikuar sidomos për faktin se edhe demokratët e kanë kundërshtuar planin e tij për mbylljen e burgut deri në janar të vitit të ardhshëm. Dhe presidenti Obama mbajti një fjalim për t’iu përgjigjur kritikave të të dy palëve në lidhje me këtë çështje kaq komplekse.
“Është e qartë, se në vend qe ta bente me te sigurt burgu I Guantanamos e ka vene ne rrezik sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ai është bërë mjet rekrutimi për al-Kaidën dhe organizatat e tjera terroriste. Ekzistenca e Gunatanamos ka krijuar më shumë terroristë në botë seç ka ndaluar.”
Fjalimi i sotëm i zotit Obama konsiderohet si një nga fjalimet kryesore në lidhje me sigurinë kombëtare. Dhe presidenti amerikan e shfrytëzoi këtë rast për ritheksuar se siguria e amerikanëve është përparësia e tij kryesore.
“Perparesia dhe puna ime me e rendesishme eshte t’u garantoj amerikaneve sigurine e tyre. Ne nuk mund ta mbajme kete vend te sigurt nese nuk ruajme vlerat tona. Ato kane qene gjeja me e mire qe kemi pasur ne amerikanet si ne kohe paqeje ashtu edhe ne kohe lufte.”
Por shqetësimet për planin e presidentit kanë qenë të shumta si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët. Daniel Inui, senator demokrat nga Hauai dhe një nga sponsorët e amendamentit tha se votimi nuk ishte referendum për mbylljen e Guantanamos.
“Ky amendament duhet të shërbejë për të bërë të qartë se, deri tani, administrata nuk na ka paraqitur një plan koherent për mbylljen e burgut.”
Senatori republikan Xhejms Inhof, i cili është po ashtu një nga sponsorizuesit e amendamentit tha se ishte i pakënaqur nga pretendimet e vazhdueshme europiane për ta mbyllur burgun.
“I vetmi argument që dëgjo është se Europianët duan që burgu të mbyllet. Europianët nuk duhet të na tregojnë si t’i bëjmë ne gjërat në Shtetet e Bashkuara.”
Votimi për amendamentin u zhvillua pasi drejtori i FBI-së Robert Myler i tha kongresit se transferimi i të burgosurve të Guantanamos brenda territorit të Shteteve të Bashkuara do të përbënte rrezik edhe nëse ata do të mbaheshin në burgje të sigurisë së lartë.
Muajin e kaluar, në përpjekje për t’iu përmbajtur premtimeve të bëra gjatë fushatës presidenciale, zoti Obama i kërkoi kongresit 80 milionë dollarë për Pentagonin dhe Departamentin e Drejtësisë për të mbyllur burgun në Gjirin Guantanamo të Kubës deri në janar.
Ndërkohë, në sytë e botës, burgu është bërë simbol i taktikave të ashpra të përdorura gjatë luftës kundër terrorizmit dhe burgosjeve pa gjyq. //bsa//