Lidhje

Astronautët e NASA-s riparojnë me sukses teleskopin Habëll


Duke fluturuar dje mbi tokë, astronautët e anijes së hapësirës Atlantis e shpallën të suksesshëm riparimin e teleskopit të hapësirës Habëll. Në një konferencë shtypi nga bordi i anijes, anëtarët e ekuipazhit thanë se misioni provon se sa e rëndësishëm është vazhdimi i pranisë së njeriut në hapësirë.

Kur ekuipazhi i anijes Atlantis filloi misioni më 11 maj, ata e dinin se kishin një punë të vështirë, riparimin e një teleskopi në madhësinë e një autobuzi, ndërsa rrotullohet në orbitë rreth 560 kilometra mbi tokë.

Por komandanti i anijes, Scott Altman, tha se, gjatë 5 daljeve në hapësirë, astronautët u përballën me sfida edhe më të vështira se sa kishin pritur.

“Është me të vërtetë mrekulli kur mendon vështirësitë me të cilat u përballëm, më shumë se sa kishim pritur. Megjithatë ekuipazhi i përfundoi të gjithë misionin me sukses prandaj falenderoj të gjithë ekipin për punën e tij shumë të mirë”.

Një prej provave më të mëdha me të cilat u përball ekuipazhi i Atlantis ndodhi të dielën në daljen e katërt në hapësirë, kur astronautët kaluan disa orë me riparimin e teleskopit.

“Isha jashtë anijes dhe nuk mund ta besoja që nuk isha në gjendje të hiqja bullonin e fundit nga krahu i teleskopit. Gjatë stërvitjes ky operacion ishte në fakt më i lehti për t’u bërë”.

Një ekip suportues në tokë, në qendrën Godard të fluturimeve në hapësirë në shtetin Meriland, u përpoq të gjente një mënyrë alternative. Më në fund ekipi në tokë e udhëzoi astronautin Massimino si të vepronte.

Megjithë vështirësitë, astronautët thanë se e lanë teleskopin 19 vjeçar në gjendje më të mirë se kurë më parë. Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, pret që teleskopi Habëll të vazhdojë të punojë edhe për 5 deri 10 vjet.

Habëll është teleskopi i parë që qendron mbi pluhurin, avullin e ujit, retë dhe dritën e atmosferës së tokës, e cila mund të deformojë apo bllokojë imazhet nga hapësira.

Pamja e pabllokuar e teleskopit Hubble ka sjellë imazhe spektakulare të galaksive të largëta kulla gazesh dhe tymi që vijnë nga grumbuj yjorë. Këto pamje i kanë lejuar astronautët që të studjojnë të kaluarën e universit dhe të llogarisin se ai është 13,7 miliardë vjet.

Ky mision ishte riparimi i fundit i instrumentave shkencore të teleskopit Habëll. NASA ka në plan ta nxjerrë jashtë përdorimit flotën e anijeve të hapësirës vitin e ardhshëm.

Presidenti Barak Obama ka dhënë urdhër për një rishikim të planeve të NASA-s për misionet e ardhshme të hapësirës me ekuipazh.

Astronati Xhon Grunsfeld thotë se ndërlikimet e papritura në riparimin e teleskopit Hubble provuan nevojën e pranisë së njerëzve në orbitë. Ai tha se nëse do t’i jepet mundësia të flasë me presidentin Obama, ai do të rekomandojë eksplorime edhe më në thellësi të hapësirës.

“Ne kemi shumë objekte të afërta me tokën si Hëna dhe Marsi. Ky është një sistem i mrekullueshëm diellor dhe ka ardhur koha që ta eksplorojmë. Dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë. Mendoj se kjo është ajo që do t’i thosha Presidentit Obama”.

Këtë javë, astronautët do të dëshmojnë nga hapësira para një komisioni të rëndësishëm të Senatit, që meret me buxhetin e NASA-s. //bsa//

XS
SM
MD
LG