Lidhje

Klinton: Një Iran bërthamor mund të nxisë një garë armatimesh


Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton paralajmëroi të mërkurën se një Iran i armatosur me armë bërthamore mund të bëhet shkak për një garë armatimesh në Lindjen e Mesme dhe më tej.

Zonja Klinton u tha ligjvënësve se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin rrugën e diplomacisë për të bindur Iranin se ai do të ishte më pak i sigurt nëse prodhon armë bërthamore. Administrata Obama, tha ajo, beson se mund t’ja paraqesë këtë argument “me shumë forcë” qeverisë së Iranit.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

Zonja Klinton tha se përpjekjet amerikane për të angazhuar Iranian ka të ngjarë të fillojnë pas zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen atje muajin e ardhshëm. Sekretarja e Shtetit tha se një dialog i tillë do të ketë një kufi kohor të cilin ajo nuk e specifikoi.

Presidenti Obama tha të hënën se ai mund të ndjekë rrugën e sanksioneve më të ashpra kundër Iranit nëse përpjekjet diplomatike nuk arrijnë përparim deri në fund të këtij viti.

XS
SM
MD
LG